Erion Veliaj
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pro kërkesës së Erjon Veliaj kanë qenë 5 gjyqtarët: Marjana Semini, Ilir Toska, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Fjona Papajorgji. Nga ana tjetër, Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi votuan kundër. Me vendimin e fundit Veliaj rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet anulohen.
Në vendim thuhet që Neni 115 i Kushtetutës qendron me lart se ligji per veteqevrisjen vendore dhe se kryetari i bashkisë mund te shkarkohet vetëm për shkelje te renda. Në vendim shtohet se Këshilli Bashkiak shkeli ligjin me vendimin për shkarkimin e Velijat.
Çfarë ndodhi?
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Me firmën e presidentit Bajram Begaj më 1 tetor u vendos që zgjedhjet e pjesshme vendore të mbahen më 9 nëntor. Por kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetutese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Vetë Kushtetuta sakëson se kur vendimi për shkarkim ankimohet në Gjykatën Kushtetutese, vendimi për shkarkim pezullohet.
Rreth një javë më vonë, ‘situata’ u kthye përmbys me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja shpjegoi se nëse dekreti i Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë do të qëndronte në fuqi, do të sillte pasoja të pariparueshme në adresë të Erion Veliajt, teksa vendimi për shkarkimin e tij ishte ende në shqyrtim.
Gjykatën Kushtetuese shqyrtoi në seancë publike më 31 tetor ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili u shfaq për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt.
Veliaj dhe mbrojtja e tij ligjore kërkuan anulimin e vendimit të qeverisë, duke hedhur akuza për një proces të motivuar politikisht. Këshilli i Ministrave dhe Presidenca theksuan se kanë vepruar brenda kuadrit ligjor dhe duke kërkuar në fund shpalljen e moskompetencës për ankimin e Veliajt.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse./ZËRI
