Shqipëria më keq se narkoshtet, hetimet dekonspirohen menjëherë/ Berisha thirrje BE: Mos mbyllni sytë para bandave dhe parave të nëntokës

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së deklaroi se “Shqipëria është më keq se narkoshtet, sepse hetimet dekonspirohen menjëherë”.

Ai akuzoi qeverinë Rama për mbështetje të bandave dhe korrupsionit, duke i bërë thirrje Bashkimit Europian të mos “mbyllë sytë para parave të nëntokës”. Berisha kritikoi përfaqësuesin e BE-së në Tiranë, z. Gonzato, për injorimin e fenomenit të narkoshtetit në vend.

Sipas tij, raportet ndërkombëtare dëshmojnë për ndikimin e krimit në zgjedhje dhe ekonominë e ndërtimit. Ish-kryeministri solli shembuj nga e kaluara, duke kujtuar mbulimin e vendit me kanabis në vitin 2015 dhe përfshirjen e policisë në trafik droge.

Ai tha se deklaratat ndërkombëtare që minimizojnë këtë fenomen përbëjnë “mbështetje për narkoshtetin”. Berisha përfundoi se opozita do të vazhdojë betejën për mbrojtjen e interesit kombëtar dhe kundër pasurimit të paligjshëm të pushtetit.

FJALA E BERISHËS:

Për ligjin, narkoshteti, duke mbështetur Edi Ramën, dhe unë me këtë rast dua t’i them pak z.Gonzato, për të cilin unë e kam respektuar dhe respektoj si përfaqësues i BE, padiskutim.

Por, përpjekja e tij për të injoruar narkoshtetin në Shqipëri është një mbështetje direkte për narkoshtetin. Dhe do i kërkoja njerëzisht t’i referohet Nikola Gratierit, një italian që lufton ditë e natë me mafien dhe që deklaron që Shqipëria është më keq se narkoshtet, dhe e dini pse? Sepse nuk mund të hetohet, sepse të dekonspirojnë menjëherë.

Dhe, para se të thërrmosh opozitën se ajo bën fjalë për narkoshtetin, ajo dhe cilidoqoftë tjetër, le të ndalet pak te raporti i OSBE/ODIHR, tek pjesëmarrja e bandave në ditën e zgjedhjeve, të kullave që 80% të parave i kanë nga nëntoka, jo nga bankat.

Le të ndalet pak tek pritja e SInaloas në zyrën e kryeministrit dhe pritja e qeveritarëve në Aruba. Fakte këto, jo të opozitës. Është gabim shumë i rëndë të atakosh opozitën se ajo flet për narkoshtet.

Opozita, sigurisht do mbrojë interesin kombëtar të vendit të vet. Por kjo, përbën një mbrojtje për narkoshtetin dhe qeverinë. Dhe unë, do t’u kujtoj shqitparëve një skenë. Në vitin 2015, vendi u mbush kanabis, siç u kujtohet nga Pogoni, gjer tek Stani i Poshtëm. Stani i Poshtëm është një bjeshkë në kufi me Plavën, pothuaj. Në Tiranë, sipërmarrjet mbylleshin sepse shkonin punonin në plantacione me rrogë të trefishtë, në një marrëveshje me sipërmarrësit.

SHISH informonte se 180 oficerët madhorë policie janë të implikuar në vjeljen e drogës dhe SHISH informonte shërbimet e vendeve partnere 100%, e sigurtë kjo. Kur del një ditë Donald Lu, ambasadori amerikan në Pallatin e Kongreseve, mbushur plot e përplot me oficerë policie dhe u thotë shqip: jam këtu për të përgëzuar policinë për suksesin e jashtëzakonshëm për luftën kundër drogës dhe trafikant Tahirin në krah. Të jem i sinqertë me ju, u mërzita shumë.

Se ajo ishte përkrahje, ishte inkurajim. I kërkoj takim, dhe e takoj. I them, z.ambasador, kjo deklaratë e juaja është mbështetje për këtë politikë, e cila doi të jetë shkatërrimtare për vendin tim. Jo, tha, ne nuk merremi tha me drogërat e buta, ne merremi me drogërat e forta.

Dhe ti e tha, se nëpër këto SHBA ka një lëvizje për legalizime dhe për këto. Në fakt, kishte lëvizje, nuk mund të mohohej, por e vërteta është që nuk u arrit që në nivel federal të kalonte ajo lloj forme. Mirë i them unë, por po të them një gjë tjetër.

Çfarë? Gjatë kohës që ne ishim në pushtet, çdo vit institucionet tuaja të zbatimit të ligjit, mblidheshin me përfaqësuesit tanë të zbatimit të ligjit. Pse? Për të shqyrtuar nëse mund të kishte potenciale për financimin e terrorizmit kund. Dhe unë e vlerësoja shumë këtë punë.

Tani i thashë, këtë vit që po flasim janë nja 200-300 shqiptarë që po luftojnë me Kalifin. Dhe nëse Al-Bagdadi u thotë atyre: shkoni në Shqipëri, dhe bëni para me drogë dhe na i sillni, ja ku janë burimet. I dhashë dhe shembullin e Jemenit. Se, Jemeni i korrën masivisht plantacionet e kafesë dhe mbollën një bimë jo si kanabisi, por bimë narkotike dhe ajo.

Dhe ai komb humbi një nga pasuritë më të çmuara që kishte, kafenë, por edhe si njerëz ata u bënë njerëz që mbllaçisin këtë bimën. Si drogë është ajo. Të thuash tani që, Shqipëria nuk ka narkoshtet, në një kohë kur dollari dhe euro janë 30-35% përtokë dhe janë nga ato që i futën me kontejner, në një kohë kur prodhimi industrial bie nga viti në vit sipas institutit të statistikës. Eksportet kanë rënie dyshifrore nga viti në vit për shkak të euros, se janë euro e dollar eksportet, nuk janë me lek. Atëherë, çfarë bën ti që e mbulon këtë?

Ti faktikisht i ndihmon këta, dhe faktikisht këtu unë kam një dallim shumë të madh me t dhe unë nuk pajtohem. Unë e di, që nuk është i vetmii që ka problem me narkoshtetin, por ne do i qendrojmë. 1/3 e shqiptarëve ka ikur jashtë.

Më shumë, sipas Eurostat. Mor zotëri, Adam Smith thotë: pasuria shpërndahet, ky është ligji i doktrinës. Këtu pasuria grabitet dhe shqiptarët varfërohen. Nga viti në vit numri i qytetarëve shqiptarë në rrezik varfërie, nuk i qytetarëve shqiptarë që varfërohen rritet. 41% ka arritur deri tani, sipas Bankës Botërore.