ps
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur në kryesine e Kuvendit, ku janë diskutuar disa çështje të rëndësishme. Burime bëjnë me dije se në këtë mbledhje u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me seancën e fundit plenare. Konkretisht për votimin për anëtarët e Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, proces i cili do të përsëritet në seancën e ardhshme plenare të së enjtes.
Çështja e buxhetit u diskutua gjithashtu në mbledhjen e socialistëve, pasi gjatë këtij muai pritet që të nisë puna për buxhetin e vitit 2026. Sipas burimeve, gjatë mbledhjes u tha se projektbuxheti për vitin e ardhshëm do të diskutohet dhe votohet në parim në seance parlamentare me 19 nëntor. Ndërsa më 11 dhjetor do të votohet në seancë nen për nen prpjektbuxheti.
Siç u raportua edhe më herët, në mbledhje u diskutua gjitashtu edhe për përmbylljen e procesit të kandidaturave për Avokatin e Popullit. Vlen të theksohet se gara në Kuvend për ata që duan të aplikojnë për Avokat Populli mbyllet më 3 nëntor, ndërsa deri më tani janë paraqitur 4 kandidatura.
Katër kandidatët:
Genta Bungo, e njohur për drejtimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) gjatë procesit të vettingut.
Saimir Vishaj, avokat, ndërsa mësohet se dosja e tij paraqet disa mangësi dokumentacioni.
Ismail Tafani, një pedagog i drejtësisë.
Shkëlqim Sulo, jurist që më herët ka përfaqësuar PDIU-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Pas mbylljes së aplikimeve, Komisioni i Ligjeve do të nisë dëgjimet publike me kandidatët. Zgjedhja e Avokatit të Popullit kërkon 84 vota, një shumicë që e bën të domosdoshëm konsensusin mes palëve politike. Ngërçi i vazhdueshëm mes mazhorancës dhe opozitës ka bërë që ky institucion të mbetet pa drejtues të plotë për më shumë se 3 vjet.
