Caushaj: Projektligji për barazinë gjinore shkëput gjininë nga biologjia, ndryshim i rrezikshëm konceptual

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetarja Rezarta Caushaj foli mbi projektligjin për barazinë gjinore, duke theksuar se drafti i ri ka probleme serioze në përkufizimin e konceptit të gjinisë.

Caushaj vuri re se përkufizimi i ri e shkëput gjininë nga biologjia dhe e redukton atë në veshje, sjellje apo aktivitete, çka përbën, sipas saj, një ndryshim thelbësor dhe shqetësues.

Ajo theksoi se ka analizuar vetë ligjin nen për nen dhe se problemet që përmban janë shumë më të rënda sesa thjesht përkufizimi i termit. “Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje terminologjie, por me një ndryshim konceptual që prek bazat ligjore dhe sociale të shoqërisë,” tha Caushaj. Sipas saj, mbështetësit e këtij ligji nuk dalin hapur për të pranuar qëndrimin e tyre real, duke shmangur deklaratat e qarta dhe duke përdorur organizata apo media për të sulmuar zërat e opozitës që e kundërshtojnë.

Në mbyllje, Caushaj nënvizoi se është e rëndësishme që debati të zhvillohet në mënyrë civile e të hapur, por duke mos mohuar faktin se ky projektligj, në formën aktuale, përmban rrezikun e zëvendësimit të përkufizimit biologjik të gjinisë me një qasje ideologjike.

Pjesë nga deklarata:

Deri para pak ditësh nuk e kisha parë draftin, megjithatë ai kishte rrjedhur në media. Përkufizimi i konceptit “gjini”, dhe unë, në linjën time të punës, më duhet vazhdimisht të analizoj ligje. E kuptova që faktikisht kishte një problem shumë të madh që në atë moment dhe pastaj lexova reagime se si nuk ishte e vërtetë që kishte ndryshuar gjinia, se si kishte një pretendim të rremë, kur faktikisht ai përkufizim që unë lexoja nuk më dukej sikur ishte i rremë. I gjithë ky shqetësim që disa palë, përfshirë edhe mua, kishin shprehur, ishte real.

Kur gjeta një moment, iu futa ligjit nen për nen, dhe aty problemet ishin më të rënda se thjesht përkufizimi. Duke qenë se unë edhe punoj me organizata formale, e kam shumë mirë idenë e mekanizmit që ato përdorin edhe për të advokuar politika. Kështu që ajo që mua më dukej e papranueshme ishte kjo: ata që janë propaganduesit dhe proponentët e këtij ligji, dhe që e kanë propozuar, nuk e pranojnë pozicionin e tyre, nuk dëshirojnë të dalin hapur dhe të thonë se ne mbështesim këtë përkufizim për gjininë, ne mbështesim që të kemi disa gjini, jo gjini binare.

Të gjithë këta duan mbrojtje ligjore dhe të gjithë personat e tjerë duhet ta pranojnë dhe duhet të marrin përsipër detyrimet ligjore, dhe ky është pozicioni i tyre. Ti që je përkundër këtij pozicioni mund ta debatosh në një mënyrë të ndershme, por këta nuk e pranojnë dhe pastaj përdorin mediumet e tyre dhe autoritetin që u japin organizatat, mediat, për të thënë që kundërshtarët tanë po gënjejnë, që ata nuk marrin vesh nga ligjet.

Unë dua që ta bëj një debat civil, edhe pse pozicioni im nuk do të ndryshonte. Termi “gjini” është ndarë në disa përkufizime: “gjini”, “përkatësi gjinore” dhe “përkatësi gjinore e shumëfishtë”, dhe ndryshimi themelor është që është ndarë përkufizimi i gjinisë nga biologjia, dhe është bërë që gjinia është veshje, aktivitete, dhe jo vetëm biologji  gjinia aty nuk është më biologji.