Pas Ballukut, paraqitet në SPAK kreu i ARRSH-së Gjyli, e shoqëron avokati

belinda balluku dhe gentian gjyli

TIRANË- Pas ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, këtë të hënë është paraqitur në SPAK kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli. Ai ka qenë i shoqëruar me avokat, ndërsa pritet t’i komunikohet akuza nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimet e kryera për tenderin e tunelit të Llogarasë. Gjyli ka qenë dhe gjatë muajit Maj i pranishëm në SPAK, ku asokohe u tha se u mor i pandehur në lidhje me disa procedura tenderash të kryera nga institucioni që ai drejton. Gjyli u zgjodh në krye të ARRSH-së në Mars të vitit 2024, pas arrestimit nga Policia të Evis Beberit. Më herët, Gjyli mbante postin e nëndrejtorit në ARRSH, dhe tashmë prej më shumë se një viti drejton një prej institucioneve më të rëndësishme në varësi të ministres Balluku. 
Kjo e fundit u paraqit të premten në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë, në lidhje me procedurën e ndjekur për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë. 

Pasditen e të premtes, Balluku u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, teksa pak minuta më vonë vetë Prokuroria dha detaje për hetimin dhe njoftoi zyrtarisht akuzat. SPAK sqaroi se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend./ZËRI