Donald Trump dhe Xi Jinping
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Presidenti kinez Xi Jinping i ka dhënë garanci se Pekin nuk do të ndërmarrë veprime për të arritur qëllimin e tij të njohur për bashkimin e Tajvanit me Kinën kontinentale gjatë kohës që Trump është në detyrë. Trump tha se çështja e Tajvanit, e cila ka qenë e kontestuar prej dekadash, nuk u diskutua gjatë takimeve të tij me Xi të enjten në Kore të Jugut, ku fokusi kryesor ishte tensioni tregtar SHBA-Kinë. Megjithatë, ai shprehu bindjen se Kina nuk do të veprojë ndaj Tajvanit ndërsa ai është president.
“Ai e ka thënë hapur, dhe njerëzit e tij e kanë thënë hapur në takime: ‘Ne kurrë nuk do të bëjmë asgjë derisa President Trump të jetë president,’ sepse ata e dinë pasojën,” tha Trump në një fragment të intervistës për programin “60 Minutes” të CBS, që u transmetua të dielën.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur prej kohësh shqetësim mbi mundësinë që Kina të përdorë forcë ushtarake kundër Tajvanit, ishull i vetëqeverisur që Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij.
Sipas Taiwan Relations Act të vitit 1979, SHBA nuk ka detyrim të ndërhyjë ushtarakisht në rast të një sulmi kinez, por politika amerikane synon të sigurojë që Tajvani të ketë resurset për t’u mbrojtur dhe të parandalohet ndryshimi i njëanshëm i statusit nga Pekini.
Pyetur nëse do të urdhëronte forcat amerikane për të mbrojtur Tajvanin në rast sulmi, Trump shmangu një përgjigje të qartë, duke iu referuar politikës së gjatë të “ambiguitetit strategjik” të SHBA ndaj ishullit.
“Do ta zbuloni nëse ndodh, dhe ai e kupton përgjigjen për këtë,” tha Trump për Xi.
Ambasada kineze në Uashington nuk ka komentuar menjëherë, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk dha detaje shtesë për momentin kur Xi ose zyrtarë kinezë kanë konfirmuar se veprimet ushtarake ndaj Tajvanit janë jashtë tavolinës gjatë presidencës së Trump.
Intervista e regjistruar në Mar-a-Lago, Florida, shënon shfaqjen e parë të Trump në “60 Minutes” që nga marrëveshja me CBS News këtë verë për një çështje ligjore që përfshinte intervistën me Kamala Harris./ZËRI
