Xi Jinping propozon krijimin e një organizate botërore për qeverisjen e inteligjencës artificiale

Presidenti kinez Xi Jinping

PEKIN- Presidenti kinez Xi Jinping mori skenën qendrore në takimin e liderëve të APEC të shtunën, ku propozoi krijimin e një organizate globale për qeverisjen e inteligjencës artificiale (IA) dhe e pozicionoi Kinën si një alternativë ndaj Shteteve të Bashkuara në fushën e bashkëpunimit tregtar.
Këto ishin komentet e para të liderit kinez për një nismë që Pekini e kishte prezantuar më herët këtë vit, ndërkohë që SHBA-të kanë kundërshtuar përpjekjet për të rregulluar inteligjencën artificiale përmes institucioneve ndërkombëtare.
Xi deklaroi se “Organizata Botërore për Bashkëpunimin në Inteligjencën Artificiale” mund të vendosë rregulla për qeverisjen dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar, duke e bërë IA një “të mirë publike për komunitetin ndërkombëtar”.
Në fjalimin e publikuar nga agjencia zyrtare Xinhua, Xi shtoi:
“Inteligjenca artificiale ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e së ardhmes dhe duhet të vihet në shërbim të njerëzve në të gjitha vendet dhe rajonet.”
Zyrtarët kinezë kanë sugjeruar se selia e kësaj organizate mund të vendoset në qendrën tregtare të Shangait.
Presidenti amerikan Donald Trump nuk mori pjesë në samitin e liderëve të APEC, që u mbajt në qytetin Gyeongju të Koresë së Jugut, pasi u kthye menjëherë në Uashington pas një takimi me Xi-në.
Dy liderët arritën një marrëveshje njëvjeçare për të zbutur pjesërisht kufizimet tregtare dhe teknologjike, të cilat kishin shkaktuar tensione mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Në mungesë të Trump-it, analistët kishin parashikuar që Xi do ta shfrytëzonte takimin e APEC për ta paraqitur Kinën si mbrojtëse të multilateralizmit të vet ekonomik dhe tregtar.
Ndërkohë që çipat e avancuar të prodhuar nga kompania amerikane Nvidia qëndrojnë në qendër të bumit të inteligjencës artificiale, zhvilluesi kinez DeepSeek ka hedhur në treg modele më të lira, të cilat po mbështeten nga Pekini si pjesë e nismës për “sovranitet algoritmik”.
Xi gjithashtu u bëri thirrje vendeve të APEC që të nxisin “qarkullimin e lirë të teknologjive të gjelbra”, një grup industrish që përfshin bateritë dhe panelet diellore — fusha në të cilat Kina ka dominim global.
Anëtarët e APEC miratuan një deklaratë të përbashkët dhe marrëveshje mbi inteligjencën artificiale dhe sfidat e plakjes së popullsisë gjatë takimit.
Kina do të presë samitin e APEC të vitit 2026 në Shenzhen, një qendër e madhe prodhimi që varion nga robotika deri te makinat elektrike. Xi kujtoi se qyteti me gati 18 milionë banorë ishte dikur një fshat peshkimi, përpara se të shndërrohej në një nga zonat e para ekonomike speciale të Kinës në vitet 1980. APEC është një forum konsultativ prej 21 shtetesh, që përfaqësojnë gjysmën e tregtisë botërore./ZËRI