Prokuroria Sarandë
SARANDË- Mbrëmjen e së shtunës është gjetur i pajetë një 40-vjeçar nga Ksamili, Gerti Kallojeri, i cili thuhet se kishte vetëm katër ditë që ishte kthyer nga Greqia, aty ku punonte prej vitesh. Trupi i tij i pajetë u gjet nga nëna e tij. Megjithatë, familjarët e viktimës nuk kanë njoftuar policinë dhe as spitalin, por kanë kontaktuar një agjenci funerale për të përgatitur varrimin.
Prokuroria e Sarandës dhe policia mësohet se kanë ndërhyrë duke ndaluar ceremoninë e varrimit deri në sqarimin e rrethanave të vdekjes, pasi familjarët kishin nisur menjëherë procedurat mortore. Prokuroria ka urdhëruar dërgimin e trupit të pajetë të 40-vjeçarit drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore.
Familjarët nuk e kanë kundërshtuar vendimin e policisë dhe të prokurorisë për ndalimin e varrimit, ndërsa më herët u kishin thënë punonjësve të shërbimit funeral se kishin kryer të gjitha procedurat e nevojshme ligjore. Ende nuk dihen detaje të tjera pse ka ndodhur kjo ngjarje dhe arsyeja pse familjarët kanë vepruar në këtë mënyrë./ZËRI
