Zbulohen 3 “shtëpi bari” në Malësi të Madhe, 2 në pranga, 4 punonjës të OSHEE në hetim

Policia në Malësi të madhe ka zbuluar tre ambiente të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave. Në kuadër të operacionit të koduar “Neonët” u arrestuan shtetasit Lazer Pepaj, Sander Pepaj dhe u shpall në kërkim shtetasi Kristjan Pepaj, të tre banues në fshatin Lulashpepaj.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit Gëzim Hoxha 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; Lodovik Vulaj, 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xhuljano Çeraj, 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe Adil Selmanaj, 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.