Lamtumirë Fatos Nano! Xhoana Nano: Ai ishte më shumë se një figurë publike, besonte tek vlerat europiane

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano, zhvilloi homazhe dhe mbajti një fjalim të ndjerë për të shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen për bashkëshortin e saj.
Në fjalimin e saj, ajo kujtoi Nano si një njeri që nuk donte kurrë të shtirej dhe e urrente populizmin, duke vepruar gjithmonë sipas bindjeve të tij dhe duke besuar tek ato që bënte.
“Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane,” tha Znj.Nano.
Ajo e përshkroi Fatosin si një njeri me zemër të madhe, i cili dinte të falte dhe nuk kërkonte hakmarrje, madje edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë.
“Fatosi ishte shumë më tepër se një figurë publike, shumë më tepër se ato që mund të pasqyrohen në histori apo media. Ai nuk donte kurrë të shtirej, e urrente populizmin dhe bënte gjithmonë atë që besonte, duke besuar tek ajo që bënte. Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane.
Ai ecte larg baltës së politikës pa u ndotur prej saj. Nuk ishte i zakonshëm; nuk bënte asgjë përgjysmë, as në punë, as në miqësi, as në dashuri. Ai kishte zemër të madhe dhe dinte të falte. Hakmarrja nuk ishte pjesë e tij, dhe këtë e tregoi edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë”, u shpreh Znj.Nano.
Xhoana Nano përfundoi duke theksuar se Fatosi dëshironte që Shqipëria të bëhej më e begatë, më e drejtë dhe më njerëzore, duke u angazhuar deri në fund për të ardhmen e vendit.
“Sjellja e tij riktheu paqen sociale në vend, edhe pse kjo nuk duket gjithmonë. Fatosi solli një frymë të re, duke e parë jetën politike jo si përplasje apo garë për pushtet, por si një mundësi për të arritur kompromis dhe drejtësi. Ai donte këtë vend me gjithë shpirt, dhe pavarësisht vuajtjeve personale, nuk hoqi dorë nga dëshira për ta parë Shqipërinë më të begatë, më të drejtë dhe më njerëzore”, tha ajo.