Erion Braçe
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe mori pjesë në homazhet publike në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke shkruar më pas edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve, për të shprehur respektin dhe vlerësimin për liderin historik të Partisë Socialiste.
Para mediave, Braçe vlerësoi kontributin e Nanos në reformimin e ish-Partisë së Punës, duke e kthyer atë në një forcë politike moderne dhe të hapur.
“Ishim në rrënojat e Partisë së Punës, dhe dolëm prej saj bashkë me të gjithë ata që iu bashkuan më pas PS-së. Fatos Nano i dha mundësinë secilit të rritej, të zhvillohej dhe të bënte karrierë. Ai kontribuoi për të bërë një parti më të mirë se ajo që trashëguam,” – tha Braçe.
Homazhet do të vijojnë deri në orën 11:00, ndërsa më pas pritet të zhvillohet ceremonia shtetërore e nderimit, me praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit./ZËRI
