Ditë Zie Kombëtare! Mbahen homazhet për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, pritet të mbajnë fjalën kryeministri Rama dhe familjarët

Fatos Nano

TIRANË- Sot Shqipëria i jep lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit demokratik shqiptar. Në shenjë respekti për kontributin e tij politik dhe publik, Këshilli i Ministrave ka shpallur Ditë Zie Kombëtare.
Homazhet publike po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 08:30 deri në 11:00, ku qytetarë të shumtë, bashkëpunëtorë, miq, personalitete të larta të shtetit dhe përfaqësues të politikës po nderojnë kujtimin e Fatos Nanos.
Programi i homazheve dhe ceremonisë shtetërore
Në orën 11:15-11:45 do të mbahet ceremonia shtetërore e nderimit, ku do të jenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të shtetit, përfaqësues të opozitës dhe të trupit diplomatik.
Në orën 12:00, në mbarë vendin do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të ish-kryeministrit, ndërsa pesë minuta më pas, në orën 12:05, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës.
Flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtize në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa Radiotelevizioni Publik Shqiptar transmeton gjatë ditës muzikë funebre, në shenjë zie dhe respekti kombëtar.
Në përfundim të ceremonisë shtetërore, kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e fundit të lamtumirës, duke nderuar pasuesin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste.
Pas tij, pritet të flasin edhe bashkëshortja e të ndjerit, Xhoana Nano, si dhe djali, Sokoli, të cilët do të përcjellin mesazhet e tyre të ndjera për figurën e Fatos Nanos, si politikan, intelektual dhe njeri i familjes.
Për organizimin e kësaj dite është ngritur Komisioni i Posaçëm Shtetëror, nën drejtimin e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme të vendit./ZËRI