‘Rashë në koma ditën kur humba nënën’, avokati Vishaj rrëfen betejën me sëmundjen:Mjeku më tha se për 6 muaj…

Avokati Saimir Vishaj ka treguar detajet e betejës së tij të vështirë me sëmundjen që ka kaluar me sukses, duke rrëfyer për eksperiencat dramatike që ndryshuan jetën e tij.
Vishaj kujtoi momentin tragjik që ndikoi në gjendjen e tij shëndetësore, kur pas humbjes së nënës përfundoi në gjendje kome, duke qëndruar një javë në reanimacion.
Më tej ai rrëfen se kontrollet e mëparshme nuk kishin treguar asgjë shqetësuese, por në Itali iu desh t’i nënshtrohej një kolonoskopie, që nxorri një pjesë tumorale në zorrën e trashë, e cila pengonte prodhimin e një substance të rëndësishme për funksionimin normal të trurit. Trajtimi që pasoi e detyroi avokatin të merrte një pushim të gjatë prej punës, duke qëndruar larg aktivitetit të zakonshëm për rreth gjashtë muaj.
“Në 29 prill më vdiq nëna dhe unë rashë në gjendje kome. Nuk kisha asnjë shqetësim më parë, isha shumë aktiv, kisha shëndet të plotë dhe ishte si një rrufe në qiell të hapur. U habita kur ndodhesha në reanimacion. Kam qëndruar një javë në koma dhe nuk u besoja syve.
Kam kërkuar të iki në Itali, sapo u bëra gati rashë sërish në koma pas disa ditësh. U thashë mjekëve se diçka nuk shkon dhe ata nuk po e gjenin dot. Shkova në një klinikë në Itali. Më ra koma edhe në avion kur po shkoja dhe mbërrita në këtë gjendje atje.
Çdo muaj kisha bërë kontrolle mjekësore, por asgjë shqetësuese. Nuk kisha bërë kolonoskopi. Kur shkova në Itali, më bënë këtë dhe konstatuan se në zorrën e trashë kisha një pjesë tumorale që ngushtonte mëlçinë dhe nuk prodhonte një substancë për ta çuar në tru. Nuk i besoja mjekëve sepse mendja më ishte vetëm tek puna e avokatisë. Mjeku më tha 6 muaj nuk je për punë. Ishte një goditje e madhe, por tani jam këtu, më i fortë dhe falënderues për shëndetin,” tha në një interviste për News24.