fatos nano
TIRANË- Shqipëria do t’i japë lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano më 2 nëntor përmes një ceremonie shtetërore, ku pritet të marrin pjesë personalitete të rëndësishme të politikës dhe jo vetëm.
Ditën e djeshme, mesazhe ngushëllimi dhe vlerësimi për figurën e liderit historik të Partisë Socialiste, nuk kanë munguar as nga kampi kundërshtar. Madje, vetë kreydemokrati Sali Berisha teksa shprehu ngushëllimet e tij, ndeoi dhe kujtoi Nanon, duke i dhënë meritën e reformimit të PS.
Ndërkohë, dita e nesërme, do të jetë Zi Kombëtare në të gjithë vendin. Në homazhet që do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalim dhe të pranishëm do të jenë gjithë anëtarët e PS, bashkë me mbështetësit socialist.
Ndërsa nga opozita, mendohet të jetë përfaqësues Flamur Noka, ndërsa nuk dihet ende nëse kreu i PD-së do të marrë pjesë në homazhet e nesërme. Gjithashtu, bëhet me dije se presidentja Vjosa Osmani nuk do të jetë e pranishme.
Në fund, me nderime, trupi i Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në banesën e fundit, që do të jetë në Sharrë. Familja ka kërkuar të kryejë në privatësi, në shtëpi edhe shërbesën e ritualit ortodoks për Fatos Nanon, i cili ishte i pagëzuar dhe i martuar me Xhoanën në Kishën Ortodokse Shqiptare.
Ish-kryeministri dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të politikës shqiptare, Fatos Nano, ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e premte, 31 Tetor 2025. Nano ndodhej prej 24 ditësh në reanimacion pas problemeve me mushkëritë, një prej spitaleve private në kryeqytet. Pjesa më e vështirë për mjekët ishte rizgjimi i trurit të Nanos, por nuk ia ka dalë të mbijetojë përpos trajtimit edhe nga një ekip i huaj specialistësh. Ai do të kujtohet si një figurë që la ndikim të fortë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit./ZËRI
