Pengmarrja e Ilir Topçiut në Devoll, shkarkohet nga detyra kreu i Policisë Korçë

Alti Nallbati, Marsel Buçi, dhe deputeti Bledian Nallbati

DEVOLL- Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledion Nallbati, Marsel Bucin dhe Trajan Çelikun, u arrestuan nga policia pasi akuzohen se morën me forcë nga banesa 32-vjeçarin Ilir Topçiun dhe e kanë kërcënuar me jetë dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Lidhur me këtë ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Erion Ahmeti. Sipas njoftimit të policisë, bëhet me dije se Ahmeti nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet. Tjetër masë me pezullim nga detyra është marrë edhe për zv.Drejtorin për Hetimin e Krimit në Korçë, Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor. Ndërkohë,  ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/ Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:
Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;
Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.
Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë.

Ngjarja u raportua mbrëmjen e 31 tetorit, ndërsa kishte mësohet se kishte ndodhur më datë 27 tetor, në Devoll. Alti Nallbati, vëllai i deputetit Bledion Nallbati, Marsel Buci dhe Trajan Çeliku, kanë marrë peng Ilir Topçiu, i cili ndodhej në ‘arrest shtëpi’ dhe e kanë keqtrajtuar në mjediset e banesës së njërit prej tyre. Policia njoftoi arrestimin e tyre, teksa bëri me dije se ndaj Alti Nallbatit dhe Çelikut rëndon akuza e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosje, ndërsa ndaj Buçit rëndon edhe akuza e plagosjes së lehtë me dashje.  
Kujtojmë se Albi Nallbati, vëllai i deputetit demokrati, Bledion Nallbati, u përfshi edhe në një tjetër incident gjatë fushatës zgjedhore 2025. Incidenti ndodhi mbrëmjen e 3 majit, ku deputeti i PD Bledion Nallbati dhe vëllai i tij, Alti Nallbati u konfliktuan me një shofer kamioni. Shkak i konfliktit u bë një aksident, i cili nuk ndodhi./ZËRI