Pengmarrja në Devoll, shkarkohet nga detyra drejtori i Policisë së Korçës

Kronikë E Shtunë, 1 Nëntor 2025 19:08
Policia e Shtetit ka marrë masa disiplinore pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa dhe u mbajt për disa orë. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, është shkarkuar nga detyra Drejtori i Policisë së Korçës, Drejtues Erion Ahmeti, ndërsa Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit, Hajri Kushe, është pezulluar deri në përfundimin e hetimit disiplinor.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur se nga analiza e zhvilluar mbi mënyrën e menaxhimit të situatës rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk kishte përmbushur detyrimet ligjore, duke mos reaguar në mënyrën e duhur dhe duke dëmtuar imazhin e Policisë në komunitet.

Ngjarja në fjalë çoi në arrestimin e Marsel Bucit, Trajan Çelikut dhe Alti Nallbatit, ky i fundit vëllai i deputetit të PD-së, Bledion Nallbati.

Drejtoria e Standardeve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur hetim disiplinor ndaj gjithë zinxhirit drejtues të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, bazuar në nenin 121 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”.

Ndërkohë, në vend të Ahmetit, është caktuar përkohësisht Drejtues Islor Islami, i cili më parë drejtonte Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, derisa të zhvillohet konkursi për drejtues të ri të DVP Korçë.
Policia e Shtetit theksoi se mbetet e angazhuar për të analizuar me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe për të marrë masa ndëshkimore në përputhje me ligjin dhe rregulloren e brendshme.