Tirana pritet të shkojë në zgjedhje të pjesshme në një kohë kur qeveria socialiste përballet me akuza të rënda për korrupsion në nivelet më të larta. Belinda Balluku është e e dyta zv/kryeministre që merret e pandehur.
“ Në një vend normal do të ishte e udhës që kryeministri të jepte dorëheqjen, pastaj në një vend që jemi, mes autokracisë e diktaturës patjetër që kjo s’ka si të ndodhë. Në këtë klimë zhvillohen zgjedhjet e pjesshme. Në këtë situatë përballet opozita dhe jo më kot njerëzit ikin nga ky vend” thotë Ilir Alimehmeti në një intervistë telefonike me gazetarin e Syri Tv, Bled Marku.
Përballja tejet e pabarabartë. Kandidati Binaj përballet jo vetëm me kundërshtarin politik, por me të gjithë aparatin shtetëror, milionat e eurove që dyshohet se qarkullojnë nga afera korruptive dhe presionin mbi administratën publike për të siguruar vota. Sipas informacioneve nga terreni, administrata e bashkisë është instruktuar të intensifikojë punën për shkak të “rënies së entuziazmit”.
Pavarësisht kësaj disbalance, sondazhet e para tregojnë një garë kokë më kokë, një sinjal se pakënaqësia ndaj qeverisjes është e lartë. Zgjedhja për qytetarët e Tiranës duket e qartë: të votojnë për vazhdimësinë e një pushteti të zhytur në skandale, apo të rrezikojnë me një alternativë të re që premton ndryshim.
“Kjo është situata që neve kemi, që është paradoksale, që do të thotë, një kryetar bashkie në burg, një kandidate e partisë në fuqi e cila ka probleme direkte me drejtësinë dhe një drejtuese politike për kryeqytetin që është e pandehur pikërisht nga organet e drejtësisë.Tani kush është gara? Kriminelët kundër njerëzve të ndershëm? Sepse kjo duket që është një gara për bashkinë e Tiranës. Pra, nga njëri krah kemi zotin Florian Binaj, një figurë qytetare, nuk ka kërkush t’i thotë një fjalë, jam i bindur që asnjë gjobë nuk e ka. Njeri me karakter, njeri me një sedër, njeri me dinjitet, e nga krahu tjetër pastaj kemi një grup njerëzish të cilët për interesat e tyre personale, se kjo është e vërteta, për interesat e tyre personale, në kurrizin e të gjithë të tjerëve, pavarësisht e majta, e djathta, pa parti, shkojnë dhe krijojnë situata paradoksale si kjo e fundit. Pra, asnjëra nga këto nuk duhet të ishte më në skenën politike, as kryetari i bashkisë aktual që pritet të shkarkohet, as kandidatja e tyre për bashkinë, as drejtuesja politike, madje as kryeministri, siç e thashë pak më parë.Mirëpo në një situatë paradoksale, ne rrimë dhe diskutojmë këtë element. Këtu s’duhet të kishte asnjë lloj diskutimi, sikur edhe vetë për socialistët, se kë duhet të votohet, sepse, keni të bindur juve, edhe në radhët e tyre ka njerëz të ndershëm. Dhe s’ka se si diskutohet që ata të përfaqësohen tani vetëm nga njerëz të cilët kanë probleme me organet e drejtësisë, nga i pari tek i fundit. Nuk shpëton asnjë. Dhe në këtë realitet, këtu zgjedhja duket shumë e qartë në favor të zotit Binaj”
Alimehmeti pranon se gara nuk është aspak e barabartë por opozita këtë herë është krejtësisht e bashkuar dhe ka vendosur të mbështesë në garë një figurë qytetare, Florian Binajn dhe Alimehmeti argumenton pse në këto zgjedhje është shumë e qartë që janë në favor të tij.
Gara nuk është aspak e barabartë, është një David kundër Goliathit, dhe jo vetëm për zotin Binaj, por për të gjithë opozitën dhe gjithë njerëzit dhe gjithë figurat që po e mbështesin dhe po punojnë aktivisht për të. Por ama ka aspekte pozitive. Opozita tani është krejtësisht e bashkuar. Nga ky aspekt. Nga aspekti tjetër kemi goditje nga ana e Partisë Socialiste. Sërish është e vërteta ajo që ju thoni. Ama kujtoj, më 14 maj, edhe pa këto probleme që ka aktualisht Partia Socialiste, pra me akuzat e fundit që ka bërë SPAK-u, më 14 maj ishin të vërteta të gjitha këto që ju sapo thatë. Pra ishin paratë, ishin grupet kriminale, ishte krejt administrata, ishte gara e pabarabartë. Të gjitha këto elementë ishin në lojë.E megjithatë, madje në krye të listës së Tiranës, drejtues politik ishte vetë kryeministri, apo jo? Jo zëvendëskryeministri, por kryeministri. Dhe megjithatë, ndër 12 qarqet e Shqipërisë, në Tiranë kanë bërë rezultatin më të dobët Partia Socialiste, që do të thotë, është gjithmonë kryeqyteti ai që reflekton i pari, është gjithmonë elektorati qytetar i cili do zgjuar. Me këtë duhet të punojë patjetër opozita. Nga krahu tjetër, patjetër gjithsesi, loja nuk është absolutisht e lehtë. Të punosh kundër kësaj lloj makinerie që funksionon që të gjithë paratë e abuzuara në vite nga xhepat tanë dhe paratë që vijnë nga mafia ndërkombëtare, të vijnë dhe të hidhen në mënyrë të vazhdueshme për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Puna është e vështirë, ama neve i kemi dalë përballë dhe do t’i qëndrojmë përballë. Dhe nga ky aspekt, presim një rezultat shumë pozitiv për Tiranën.
