muzeu i luvrit
PARIS- Një grua 38-vjeçare u akuzua të shtunën për “bashkëpunim” dhe më pas u burgos, ndërsa një burrë tjetër u lirua pa akuza në hetimin e vjedhjes së Muzeut të Luvrit në Paris, e cila tërhoqi vëmendjen botërore.
38-vjeçarja, e cila nuk është identifikuar me emër, e arrestuar të mërkurën në rajonin e Parisit së bashku me katër të dyshuar të tjerë, është akuzuar për bashkëpunim në grabitje të organizuar dhe komplot për të kryer një krim, dhe është vendosur në paraburgim. Zyra e prokurorit të Parisit kërkoi paraburgimin e saj.
Megjithatë, një tjetër i dyshuar u lirua të premten pasi u mbajt në paraburgim, pa u ngritur akuza kundër tij, thanë të shtunën avokatet e tij, Sofia Bougrine dhe Noémie Gorin.
Të shtunën në mëngjes, zyra e prokurorit të Parisit njoftoi se disa të dyshuar në hetimin për këtë grabitje spektakolare, vlera e së cilës vlerësohet në 88 milionë euro, do të merren në pyetje nga magjistratët gjatë ditës.
Midis të arrestuarve të mërkurën ishte një anëtar i dyshuar i komandos që kreu grabitjen më 19 tetor në më pak se tetë minuta, deklaroi të enjten prokurorja e Parisit Laure Beccuau. “Gjurmët e ADN-së” e lidhin atë me vjedhjen, tregoi ajo.Personat e tjerë të arrestuar “mund të na japin informacion se si u zhvilluan këto ngjarje”, deklaroi prokurori.
Katër persona të veshur me jelekë me dukshmëri të lartë për t’u ngjarë punëtorëve të ndërtimit, thyen një dritare dhe më pas përdorën prerës me disk për të hapur dy vitrina në galerinë e zbukuruar përpara se të zbrisnin me ashensorin dhe të iknin në pjesën e pasme të motoçikletave të drejtuara nga dy anëtarët e tjerë të bandës.
E gjithë grabitja zgjati më pak se shtatë minuta, me dy hajdutët që hynë në galeri që qëndruan brenda 3 minuta e 58 sekonda. Ata kanë vjedhur nëntë objekte nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës, përfshirë një gjerdan, një karficë dhe një kurorë. Burime brenda muzeut konfirmojnë se diamanti legjendar “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur nga grabitja./ZËRI
