fatos nano
TIRANË- E diela do të jetë ditë zie kombëtare pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit. Flamuri Kombëtar do të ulet gjysmë shtizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa në orën 12:00 do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Më datë 2 nëntor, në Pallatin e Kongreseve do të mbahen homazhet në nderim të figurës së tij. Nga ora 08:30 deri në 11:00 do nisin zhvillohen homazhe publike, ndërsa prej orës 11:15 deri në 11:45 do të mbahen homazhe shtetërore. Mësohet se kryeministri i vendit Edi Rama, njëherësh edhe pasuesi i Nanos, do të mbajë një fjalim. Gjithashtu, fjalim do të mbajë edhe një pjesëtar i familjes së ish-kryeministrit. Ndërkohë që personalitete të politikës, edhe nga Kosova, janë ftuar të marrin pjesë në ceremoni.
Ish-kryeministri dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të politikës shqiptare, Fatos Nano, ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e premte, 31 Tetor 2025. Nano ndodhej prej 24 ditësh në reanimacion pas problemeve me mushkëritë, një prej spitaleve private në kryeqytet. Pjesa më e vështirë për mjekët ishte rizgjimi i trurit të Nanos, por nuk ia ka dalë të mbijetojë përpos trajtimit edhe nga një ekip i huaj specialistësh. Ai do të kujtohet si një figurë që la ndikim të fortë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit./ZËRI
