Grupi Parlamentar i PD-së ka reaguar pas refuzimit nga mazhoranca të dy kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare, që synonin hetimin e farsës zgjedhore të 11 majit dhe aferës “McGonigal”.
Në një reagim publik, kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, thekson se ky veprim i Edi Ramës përbën një akt të rëndë antikushtetues, që godet një nga funksionet themelore të Kuvendit, kontrollin parlamentar ndaj qeverisë.
Sipas Bardhit, përmes këtij vendimi, mazhoranca jo vetëm që mohon të drejtat kushtetuese të opozitës, por synon të asgjësojë vetë frymën e parlamentarizmit dhe të mbyllë çdo hapësirë për transparencë dhe llogaridhënie.
Ai nënvizon se komisionet hetimore nuk janë instrumente politike, por mjete demokratike për të garantuar përgjegjshmëri dhe standarde europiane në qeverisje.
“Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kërkon llogari dhe kontrollon pushtetin,” – shprehet Bardhi, duke theksuar se PD nuk do të pranojë kurrë që Kuvendi të kthehet në dekor të një pushteti që tenton të shuajë zërin e opozitës dhe demokracinë parlamentare.
REAGIM:
Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës, për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me “McGonigal”, është një akt antikushtetues që asgjeson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar. Përmes këtij akti Edi Rama nuk asgjeson vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizimin.
Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument i transparencës, jo i bllokimit politik. Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane.
Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari, nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjesojnë edhe Parlamentin.
