DEVOLL-Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur në Devoll, ku Ilir Topçiu u mor peng nga tre persona. Në pranga janë vendosur Alti Nallbati, vëllai i deputetit Bledion Nallbati, Marsel Buci dhe Trajan Çeliku. Të tre më 27 tetor kanë marrë peng Ilir Topçiu, i cili ndodhej në ‘arrest shtëpi’ dhe e kanë keqtrajtuar në mjediset e banesës së njërit prej tyre.
Burime bëjnë me dije se shkak janë bërë konfliktesh për prishje pazaresh për aktivitete të paligjshme, dyshohet kontrabandë. Ndaj Alti Nallbatit dhe Çelikut rëndon akuza e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosje, ndërsa ndaj Buçit rëndon edhe akuza e plagosjes së lehtë me dashje.
Kujtojmë se Albi Nallbati, vëllai i deputetit demokrati, Bledion Nallbati, u përfshi edhe në një tjetër incident gjatë fushatës zgjedhore 2025. Incidenti ndodhi mbrëmjen e 3 majit, ku deputeti i PD Bledion Nallbati dhe vëllai i tij, Alti Nallbati u konfliktuan me një shofer kamioni. Shkak i konfliktit u bë një aksident, i cili nuk ndodhi.
Njoftimi i policisë:
Morën me forcë nga banesa për motive të dobëta një 32-vjeçar, e kërcënuan me jetë dhe ushtruan dhunë fizike ndaj tij, vihen në pranga 3 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pas kallëzimit të bërë më datë 30.10.2025, nga shtetasi I. T., 32 vjeç, i cili deklaroi se më datë 27.10.2025, tre shtetasit M. B., T. Ç. dhe A. N., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe mbajtur për disa orë në një biznes privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan punën për kapjen e tyre.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë ndalimin e shtetasve:
A. N., 42 vjeç, banues në Bilisht, dhe T. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Braçanj, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim;
M. B., 37 vjeç, banues në Devoll, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë marrë me forcë nga banesa shtetasin I. T., 32 vjeç, banues në fshatin Braçaj, Bashkia Devoll, i cili ishte me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e motivit të saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme./ZËRI
Pengmarrja e Ilir Topçiut! Dy persona dhe vëllai i deputetit të PD-e morën nga ‘arresti i shtëpisë’ dhe e dhunuan
