TIRANË-31 Tetor dhe mbarë bota feston ‘Halloween’- dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, shtrigave me fshesë, maceve të zeza, errësirës dhe çdo gjëje të frikshme. Halloween vitet e fundit po festohet edhe Shqipëri, ku njerëzit vishen me kostume të ndryshme, zakonisht shihen me atë të personazheve negativë ku mbizotëron ngjyra e errët. Duke iu referuar ditës së djeshme festive ‘politika shqiptare shënjoi ‘Halloween’, mes tensionit, vendimeve, akuzave dhe në fund me zi kombëtare!
Erion Veliaj, ish-kryebashkiaku i Tiranës mëngjesin e 31 tetorit, i veshur me kostum të zi, pranga në duar dhe shoqëruar me forca të shumta Policie la qelinë dhe u nis drejt Tiranë. Prangat, kostum i zi, uniforma policie-veshje dhe aksesorë të përdorur për të hyrë në festë halloween-i, por në këtë rast -‘festa është një gjyq’.
Veliaj qëndroi për rreth 7 orë në Gjykatën Kushtetuese për të bërë mbrojtjen e tij lidhur me shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Tensioni në sallë ishte i larë, ku gjatë seancës publike nuk munguan pyetjet e gjyqtarëve, por edhe palëve të përfshira në proces si presidenca dhe kryeministria ndaj Veliaj. Pas një seancë maratonë përreth 7 orë për shqyrtimin e kërkesës së Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga detyra, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese është tërhequr për vendim. Data dhe ora se kur do të njoftohet vendimi ende nuk dihet, ndërsa zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë mbeten ‘peng’.
Gjatë mesditës në orën 15:00, gazetarë me mikrofonat në dorë, kamerat gati: Zëvendëskryministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belnda Balluku paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. E thënë në mënyrë figurative duke iu referuar pamjeve-‘Halloween’ por në dyert e SPAK! Dy shoqërues dhe Balluku në mes, teksa rrethoheshin nga gazetarët dhe operatorët.
Pak minuta më vonë, pasi zv.kryeministrja doli nga SPAK, vetë Prokuroria dha detaje për hetimin dhe njoftoi zyrtarisht akuzat. SPAK sqaroi se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend.
Zi në politikën shqiptare dhe jo vetëm, Fatos Nano ndërroi jetë. Ai ndodhej prej 24 ditësh në reanimacion, ku pësoi arrest kardiak dhe më pas vdekje klinike të trurit ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe pa përmirësim. Politikanë socialistë dhe demokratë, presidenti Begaj dhe figura të shumta të politikës dhe jo vetëm, shprehën ngushëllime dhe vlerësuan figurën e Nanos.