Sektori i turizmit po përballet me mungesë serioze të fuqisë punëtore. Sipas Unionit Turistik Shqiptar, industrisë i nevojiten rreth 30 mijë punonjës të rinj, kryesisht në hotelieri, Air B&B, plazhe dhe transport turistik. Për këtë arsye, operatorët kërkojnë thjeshtimin e procedurave për pajisjen me leje qëndrimi të punonjësve të huaj, pasi e konsiderojnë të pamundur mbulimin e kërkesës me punonjës vendas.
Në takimin e fundit me Ministrinë e Turizmit, drejtuesit e Unionit kanë parashtruar një sërë propozimesh konkrete për përmirësimin e sektorit, përfshirë: Zbatimin ligjor të sigurimeve jashtë sezonit, siç parashikohet në Strategjinë Kombëtare të Turizmit; Ngritjen e linjave të dedikuara të transportit publik drejt destinacioneve bregdetare; Krijimin e një Akademie të Turizmit për rritjen e kapaciteteve profesionale; Rritjen e pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare dhe aktivitete promovuese rajonale.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e Unionit i kanë kërkuar Drejtoreshës së Emigracionit që ishte e pranishme në takim, shkurtimin e afateve dhe procedurave burokratike për marrjen e lejeve të qëndrimit nga punëtorët e huaj që vijnë për sezon turistik.Në një reagim në rrjetet sociale, Unioni Turistik Shqiptar i ka bërë publike kërkesat e tij, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit në mënyrë që sektori të ruajë ritmin e zhvillimit dhe të garantojë një turizëm cilësor me standarde ndërkombëtare.
Sektori i turizmit në krizë për punonjës, duhen 30 mijë persona
