Erion Veliaj dhe Arlind Qorri
TIRANË-Arlind Qori, kreu i ‘Lëvizja Bashkë’ dhe kandidat në garën për Bashkinë e Tiranës, ka reaguar pasi Veliaj para Gjykatës Kushtetuese tha se këtë betejë po e bën dhe për kandidatët e tjerë që synojnë të zgjidhen në krye të Bashkisë.
“Unë sa herë që më është kërkuar kam qenë i pranishëm. Po sikur tia bëjnë këtë Ogertës, Florit apo Arlindit, kjo është një betejë që po e bëj dhe për ta, do të krijonte një precedent të rrezikshëm”, u shpreh Veliaj në fjalën e tij.
Në përgjigjen e tij, Qori shprehet se nëse zgjidhet kryetar bashkie nuk do të veprojë si Veliaj dhe ironizon se ‘nëse çmëndet dhe ndjek rrugën e Veliajt, duhet ta pësojë 100 herë më keq’.
Arlind Qori: Erion Veliaj ka deklaruar që betejën e tij me drejtësinë po e bën edhe për mua, nëse zgjidhem kryetar bashkie. Erion, unë nuk kam ndër mend të vjedh asnjë qindarkë. Nëse çmendem dhe bëj si ti, e pësofsha 100 herë më keq se ti!
Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt./ZËRI
