“Fast & Furious” në Vlorë, drifti “merr në qafë” shoferin, heqje patente dhe sekuestrim i mjetit

pamje nga policia

VLORË- Një 22-vjeçar është gjobitur nga policia e Vlorës, pasi rrezikoi sigurinë publike me manovra të rrezikshme. I riu është gjobitur me masë administrative në vlerën 5200 lekë, heqje patente dhe sekuestrim të automjetit. Siç duket edhe nga pamjet e publikuara nga policia, 22-vjeçari bën drift me makinën e tij tip “BMW” e tij, duke xhiruar gomat në mënyrë të përsëritur. Sipas bluve të Vlorës, i riu u shndërrua në një rrezik për qytetarët dhe automjetet e tjera që qarkullonin në atë zonë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të patrullës së përgjithshme për të ndaluar. 

Njoftimi
Vlorë/ Procedohet penalisht, gjobitet dhe i sekuestrohet automjeti një drejtuesi mjeti që rrezikoi sigurinë publike me manovra të rrezikshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në ngarkim të shtetasit D. Xh., 22 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në vendin e quajtur “Kapelja”, ka xhiruar gomat e automjetit tip “BMë”, në mënyrë të përsëritur, duke u shndërruar në një rrezik për qytetarët dhe automjetet e tjera që qarkullonin në atë zonë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të patrullës së përgjithshme për të ndaluar.
Njëkohësisht, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Vlorë i vendosën këtij shtetasi masë administrative në vlerën 5200 lekë, për shkelje të neneve 139/8, 153/5, 139/3, 190/1-6 dhe 120/1-6 të Kodit Rrugor, si dhe masën plotësuese të tërheqjes së lejes së drejtimit.
Në përfundim të të gjitha veprimeve procedurale dhe administrative, u bë edhe sekuestrimi i automjetit.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.