edi rama-giorgia meloni
TIRANË- Qeveria shqiptare dhe ajo italiane pritet të zhvillojnë në Romë një mbledhje të përbashkët. Takimi do të mbahet më datë 13 nëntor. Kjo është hera e parë që mes dy vendeve mbahet një mbledhje e përbashkët.
Burime bëjnë me dije se në takim do të marrin pjesë delegacionet e të dyja qeverive, të përbërë nga kryeministri dhe deri në 10 minitra. Sa i përket agjendeës, parashikohet se samiti dypalësh do të nisë fillimisht me një takim bilateral ndërmjet ministrave sipas sektorëve të tyre, ku do të shqyrtohen projektet dhe bashkëpunimet aktuale.
Më pas, dy Kryeministrat Rama dhe Meloni, do të zhvillojnë një bisedë direkte ‘kokë më kokë’ për të diskutuar prioritetet strategjike dhe çështjet më të rëndësishme. Pas kësaj, Kryeministri dhe ministrat e të dy vendeve do të mbajnë një takim të përbashkët, ku do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe identifikimi i projekteve të reja bashkëpunimi në sektorë si energjia, infrastruktura, tregtia dhe turizmi.
Gjithashtu pritet që të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të tjera të cilat do të sjellin një bashkëpunim më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë. Takimi do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët për mediat, pa mbajtjen e konferencës për shtyp, duke theksuar rezultatet dhe qëllimet e samitit.
Vetëm një ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje për bashkëpunim strategjik me qeverinë italiane, në të paktën 10 fusha që nga shëndetësia, energjia e mjedisi deri te industria e sigurisë apo rritja inteligjente. Sipas njoftimit të qeverisë, vendimi synon të formalizojë marrëdhëniet dypalësh për të krijuar një kuadër të strukturuar për projekte dhe iniciativa të përbashkëta./ZËRI
