KZGJ vendos: Gjergj Nika regjistrohet si kandidat i pavarur për Bashkinë Vlorë

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor (KZGJ) vendosi sot që Gjergj Nika të regjistrohet si kandidat i pavarur në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, për Bashkinë Vlorë.
Çështja u shqyrtua nga gjyqtarët Rexhep Bekteshi (relator), Iliba Bezati, Artan Çupi, Ornela Naqellari dhe Enkel Peza.
Në përfundim të mbledhjes, KZGJ vendosi shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) si dhe ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) duke vendosur regjistrimin e Gjegj Nikës si kandidat për kryetar bashkie, i propozuar nga zgjedhësit, në zonën zgjedhore Bashkia Vlorë.
Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përmes një postimi në rrjetet sociale Nika theksoi se kjo ishte “fitore e drejtësisë mbi presionet politike”.
“Ky vendim vjen pas presioneve të shumta dhe përpjekjeve të hapura nga partitë e mëdha për të penguar një zë të pavarur në garë. Por drejtësia foli qartë: askush nuk mund të ndalojë vullnetin e lirë të qytetarëve”, shkruan Nika.
Nika theksoi se futet në “këtë garë me vendosmërinë për ta kthyer politikën te njerëzit, jo te partitë”.