Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është paraqitur pasditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Basha është paraqitur në godinën e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 16:00.
Bëhet me dije se Basha është thirrur nga prokurori Alfred Shehu, si deklarues për hetimet e 21 Janarit, kur ai ishte ministër i Brendshëm.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia.
Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.
Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes.
Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.
Zbulohet arsyeja e paraqitjes së Bashës në SPAK/ Pyetet si person në dijeni për 21 janarin
