Vrau me thikë turistin në sy të fëmijëve, gjykata e lë në burg! Autori pendohet, si u justifikua në gjyq…

Kristo Mema dhe viktima Keli Hoxha

BERAT- Gjykata e Beratit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristo Memën (alias Kontandin Hoxha), autori i vrasjes së 42-vjeçarit Keli Hoxha. Autori 63-vjeçar është paraqitur mesditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Beratit, nën masa të rrepta sigurie. 
Prokurori i çështjes, Renato Tosku, pasi paraqiti rrethanat e ngjarjes, kërkoi për të masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga neni përkatës i Kodit Penal. Pas dëgjimit të avokatit mbrojtës dhe vetë autorit, gjyqtari Renis Bega e cilësoi arrestimin “të ligjshëm” dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Memës.
Mësohet se gjatë seancës, Kristi  ka shprehur pendesë dhe iu ka kërkuar falje famljarëve të viktimës. Ai ka deklaruar se ngjarja ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, pasi sipas tij, viktima e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. 
Ngjarja u raportua mesditën e 28 tetorit, ku Keli Hoxha, 42-vjeç, banues në Tiranë dhe lindur në Tropojë u qëllua me thikë nga Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha). Autori 63-vjeçar u kap disa orë më vonë, i fshehur në “shpellën e memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit. Kristo Mema ka kryer një vrasje në vitin 1993 në Berat, por pas ngjarjes ishte larguar në Greqi për rreth 25-vjet, ku kishte ndërruar edhe emrin./ZËRI