“Gërdeci”! Mediu përplaset me familjarët: Kam 15 vite që ju dëgjoj! Durda: Djali kishte ditëlindjen sot

Feruzan, Zamira Durda dhe Fatmir Mediu

TIRANË-Sot është mbajtur seanca e radhës në GJKKO për masakrën e Gërdecit, ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu. Seanca u shoqërua me debate të forta mes palëve, ku Mediu u përball me familjarët e viktimave. Shkak për debatet është bërë kërkesa e Fatmir Mediut për të revokuar vendimin e gjyqtares Irena Gjoka që pranoi si palë familjen Durda. 
Ish-ministri ka kërkuar largimin e tyre nga salla, duke i thënë familjes Durda se kanë 15 vite që i dëgjon, në një kohë kur ata po kërkojnë drejtësi për djalin 7-vjeçar që ia vranë. Nga ana tjetër familja Durda me pikëllim për humbjen e tyre u shpreh se kanë vite që presin dhe sot djali i tyre ka ditëlindjen dhe duhej të ishte 25 vjeç.
Debati vijoi me Mediun i cili u shpreh se familjarët duan ta kthejnë gjyqin publik, pasi tragjedia krijon gjithmonë opinion dhe kanë vendosur që mos e ndjekin me procedurë e kod penal. Mediu u tërhoq duke deklaruar se nuk ka asgjë me familjarët.
DEABTI:
Avokati Dorian Matlia: Meqë kërkuan të dalë nga salla Geraldo Durda, atëherë jemi dakord të largohet në mënyrë që të mos kemi pengesa.
Fatmir Mediu: Kemi 15 vite që ju dëgjojmë.
Feruzan Durda ngrihet në këmbë:15 kam unë që pres. Nuk e financon Soros, se e ka marrë në 2008 çështjen. Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që presim. Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot.
Fatmir Mediu: Gjithçka që bëhet në këtë sallë ka vetëm një qëllim, për të bërë gjyq publik. Meqë tragjedia krijon gjithmonë opinion. Nëse keni vendosur të gjykoni me opinionin jo me procedurë e kod penal, atëherë ky proces ka dështuar. Nuk pranoj që në emër të familjarëve të bëhet politik, asgjë skam me familjarët madje jam i hapur ndaj tyre për çdo pyetje që kanë. Nëse drejtësia do donte të bënte drejtësi ka disa dokumente mbi gjithë procesin e demontimit. Këto nuk qenkan fakte. Dy ekipet amerikane që kanë asistuar 15 vite FA, komandantin e NATO-s në Tiranë, nëse këta që na kanë menduar si të bëjmë aktet e demontimit nuk thirrën ndërkohë që ata ekspertët shkencor që nuk kishin mundësi as të lexonin, dhe dëshmuan, atëherë ky s’është proces gjyqësor për të krijuar vetëm një perceptim, opinion publik, duke thënë “po bëhet gjyqi gërdeci”. Ndërkohë që unë akuzohem për shpërdorim detyre.
Avokati Henrik Ligori: Mediu akuzohet për shpërdorim detyre për shpenzimin e naftës së shtetit, këtu duhej të ishte si palë viktimë shteti për dëmin që SPAK pretendon se veprimi apo mosveprimi i Mediut i ka shkaktuar
Fatmir Mediu: Si ka mundësi që Altin Dumani për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës tha se nuk ka përgjegjësi pasi kam nxjerr vetëm urdhrin, zbatimin e ka bërë polici, ndërsa unë qenkam përgjegjës për një vendim për demontimin që kam nxjerr totalisht të rregullt, e kanë marrë për zbatim dhe e kanë zbatuar forcat e armatosura.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI