Nesër seanca në Kushtetuese, Veliaj pritet të dalë nga qelia, avokati tërhiqet nga mbrojtja! Ç’pritet të ndodhë

erion veliaj-jordan daci

TIRANË- Ditën e nesërme, 31 tetor, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën publike për ankimimin e bërë nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të 9 nëntorit edhe për Bashkinë e Tiranës.
Mirëpo, një zhvlillim i papritur ka ndodhur disa orë përpara se zhvillimit të seancën, në të cilën do të jetë prezent edhe Veliaj. Jordan Daci, avokati i tij i mbrojtjes ka njoftuar tërheqjen nga mbrojtja ligjore për ish-kryebashkiakun. Përmes një postimi në rrjetet sociale, avokati bëri me dije tërheqjen nga rasti, pasi sipas tij, ka konstatuar se është në konflikt interesi, por pa dhënë më shumë detaje. 
Postimi i avokatit:
“Në përgjigje të interesit publik lidhur me angazhimin tim si mbrojtës i mundshëm i z. Veliaj para Gykatës Kushtuese, pas një vlerësimi të kujdesshëm në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës, konstatoj që jam në konflikt interesi për shkak të angazhimeve të mia dhe studios time ligjore në raste të tjera të mëparshme ende ne proces dhe shkaqe të tjera nga ato për të cilat ligji, etika dhe morali na detyrojnë të mos jemi mbrojtës në raste si këto. Për këto arsye bëj me dije që s’do jem mbrojtësi i tij para Gjykatës Kushtetuese në gjykimin e nesërm.”

postimi i avokatit

Ndërkohë, ditën e nesërme, Erion Veliaj do të dalë para publikut në sallën e Gjykatës Kushtetuese më 31 tetor, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës. Kjo dalje e tij, do të jetë e para pas 9 muajsh qëndrimi në qeli.
Por, çfarë pritet të ndodhë pas tërheqjes së avokatit? Në kushte të tilla, a do të kërkojë nje tjetër avokat ekipi i ligjor i Veliajt? Nëse ndodh kjo, a do të kërkojë ai më shumë kohë për t’u njohur me çështjen…

Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese njoftoi prezencën e Veliajt në seancë, pasi ky i fundit kishte shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tij. Ndryshe nga Këshilli Bashkiak, Veliaj në seancën për shqyrtimin e shkarkimit të tij do të i pranishëm fizikisht, pasi ky i fundit shprehu vullnetin për të marrë pjesë. Kushtetuesja ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për marrjen e masave për shoqërimin e Veliaj në seancë. Gjithashtu është njoftuar dhe SPAK, pas konfirmimit të Veliajt. 
Teksa më 31 tetor presim daljen e parë publike për Erion Veliajn pas arrestimit, Tirana pret edhe vendimin për zgjedhjet e mbajtura ‘peng’.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI