prokuroria tirane
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka lëshuar masa sigurie ndaj shtetasve Ilir Allmeta, Ermir Gjoklaj dhe Mirash Lula pasi akuzohen se kryen shitje fiktive në favor të ‘5D Konstruksion’ dhe krijuan skemë mashtruese fiskale për përfitime. Ndaj Allmetës është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa për dy të tjerët masa detyrim paraqitje. Kompanitë që ata drejtonin, kanë lëshuar fatura viktive në vlerën e më shumë se 370 milionë lekëve të rinj, në favor të kompanisë 5D, duke i shkaktuar një dëm të rëndë buxhetit të shtetit. Përmes këtyre faturave fiktive, kompania 5D ka fryrë kostot e projekteve që ka kryer, përmes tendeave të fituar nga Bashkia e Tiranës.
“Nga hetimi rezultoi se vlera e plotë prej 370,299,847 lekësh, e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në situacionet e punimeve të deklaruara në tenderat publikë, me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera. Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e Prokurorisë.
NJOFTIMI I PROKURORISË
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dha tre masa sigurie për tre shtetas, I.A., ‘Arrest në burg’, E.Gj, ‘Detyrim paraqitje’ dhe M.L., ‘Detyrim paraqitje’, të dyshuar për përfshirjen në krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), ‘Fshehjen e të ardhurave’, si dhe ‘Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve’, parashikuar nga nenet 144/a, 180 dhe 190 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.2578 të vitit 2025, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinvë e Policisë Tiranë, rezultoi se subjektet tregtare “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb”, kanë kryer shitje të dyshuara fiktive në favor të subjektit “5D Konstruksion”, me një vlerë totale prej 370,299,847 lekësh, duke gjeneruar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në shumën prej 108,004,122 lekë.
Subjekti ‘5D Konstruksion’ është hetuar nga Prokuroria e Posaçme, duke dërguar në përfundim të hetimeve në gjykim shtetasit, G.C., E.M., T.M. dhe B.Ç. Ky subjekt dyshohet se ka ritur në mënyrë fiktive shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke administruar dhe deklaruar faturat fiktive të lëshuara nga personat nën hetim, I.A. E.Gj. dhe M.L. me vlerën rreth 370,299,847 lekë.
Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.
Nga hetimi rezultoi se vlera e plotë prej 370,299,847 lekësh, e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në situacionet e punimeve të deklaruara në tenderat publikë, me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera. Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit. Si rrjedhojë, veprimet e kryera jo vetëm që kanë krijuar avantazhe tatimore të padrejta, në TVSH dhe TF, por kanë rezultuar edhe në përvetësimin e pajustifikuar të fondeve publike, përmes paraqitjes së rreme të shpenzimeve në raportet financiare të tenderëve.
Në këtë kuadër, veprimet e koordinuara të këtyre subjekteve përbëjnë elementët përbërës të veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, në bashkëpunim, në kuptim të nenit 144/a dhe nenit 25 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e kompanisë “5D”, e cila u vendos nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë Tiranë që akuzohen se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte dhe kanë përfituar 16 tendera prej saj. Pjesë e kësaj dosjes janë Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari.
GJKKO vendosi që Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen për veprat penale të korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Ndërsa Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punaviaj do të gjykohen për veprat penale shkelje të barazisë në tendera./ZËRI
