Vrau babanë për të mbrojtur nënën, i riu merr faljen pas 5 vitesh

familja pas vendimit

ITALI- Gjykata e Kasacionit në Torino ka liruar përfundimisht nga akuzat Alex Cotoia-n, të riun që vrau 5 vite më parë babanë e tij, për të mbrojtur të ëmën. Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2020, ku i riu qëlloi 34 herë me thikë babanë e tij, gjatë një konflikti familjar. Në një vendim të mëparshëm, i cili tashmë nuk është më në fuqi, Cotoia ishte dënuar me 6 vite e dy muaj burg.
Në lirimin përfundimtar nga akuzat të Alex Cotoia-s, i cili u akuzua për vrasjen me dashje të babait të tij, Giuseppe Pompa, Gjykata e Lartë konfirmoi se djali e goditi të atin 34 herë me thikë jo nga “urrejtja, frustrimi ose zemërimi”, por sepse “e mbrojti veten derisa e kuptoi se ishte i pambrojtur dhe nuk përbënte më rrezik”. Incidenti ndodhi në apartamentin familjar në Collegno, në provincën e Torinos, më 30 prill 2020, gjatë një mosmarrëveshjeje familjare.
Giuseppe Pompa u përshkrua si një person që vuante nga “xhelozia patologjike” dhe një “dëshirë e papërmbajtshme për t’i imponuar vendimet e tij familjarëve”. Klima në shtëpi kishte qenë prej kohësh një “shtypje shumë e rëndë nga burri ndaj gruas së tij”, dhe atë mbrëmje, viktima dukej se ishte i mbërthyer nga një tërbim “i pakontrollueshëm”.
 “Edhe nëse do të besonim se Alex,” shkruan gjykata, “veproi me bindjen e gabuar se babai i tij kishte ndërmend të armatosej me thikë dhe, për këtë arsye, e përballi atë,” ka elementë konkretë “të aftë ta bindin të pandehurin të besojë në mënyrë të arsyeshme se ishte në rrezik”. Prandaj, “është e mundur të konsiderohen të pranishëm elementët e veprës penale të kryer për vetëmbrojtje.