EKSTRADIMI
TIRANË-Erind Lasku pjesë e grupit të Ervis Doçit i njohur ndryshe si ‘Visi i Pojës’ është ekstraduar nga Italia. Lasku akuzohet se pastronte paratë e përfituara nga trafiku i drogës për llogari të ‘Pojës’. Ndaj ti GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi i policisë:
Vijon bashkëpunimi i ngushtë me partnerët, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Milano, shtetasi që koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Si rezultat i partneritetit shumë të ngushtë të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit me ata të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit E. L..
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse GjKKO-ja, në muajin prill, 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Operacioni “Ura” u finalizua një Maj dhe kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë. Paratë e trafikut depërtonin në ekonomi, përmes kompanive, pronave të paluajtshme, mediave lokale, transportit dhe bareve. Pjesë e organizatës ishin 3 nëngrupe kriminale, baza e njërit në Durrës dhe 2 të tjerët në Itali, në Puglia.
Elvis Doçi është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Ura”. Ai njihet ndryshe si “Visi i Pojës”, pasi është nipi i Xhevdet Troplinit, të njohurit si Poja. “Visi i Pojës” u bë i njohur mediatikisht kur autoritetet zbarkuan një vit më parë në banesën e tij dhe gjetën 3 mln euro cash të groposura. Vetë ai u shpall në kërkim, por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit dhe akuzat ndaj tij sa vijnë e shtohen, ende nuk është arrestuar. Doçi bashkëpunon më ngushtë me Adi Çobën, një personazh gjithashtu i dalë në dritë pas operacionit Ura. Përgjimet e këtij grupi flasin lidhur me rëndësinë e Pojës, i cili përshkruhet si një nga trafikantët kryesorë të drogës që vepronin në Shqipëri, e po ashtu një eksponent kryesor i një grupi të organizuar kriminal të fuqishëm./ZËRI
