Milionat që u dogjën me inceneratorët dhe fatura e re që do ta paguajnë shqiptarët për mbetjet

Emisioni “Kronos”

 

Prej më shumë se një dekade, Shqipëria mbetet peng i një prej dështimeve më të mëdha publike: menaxhimi i mbetjeve.
Megjithëse janë shpenzuar qindra milionë euro, vendi ndodhet sot pothuajse në pikën zero — vetëm 3 bashki nga 61 arrijnë të menaxhojnë një pjesë të mbetjeve që gjenerojnë.

 

Qytetarët i hedhin plehrat në rrugë e në koshat që mbushen përditë, ndërsa rezultatet e premtuara nga projektet gjigante të inceneratorëve mungojnë plotësisht.

 

Një cikël dështimesh që kushton miliona

 

Afera e inceneratorëve, tashmë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), është cilësuar si një nga skandalet më të mëdha financiare të viteve të fundit. Projekte që u prezantuan si zgjidhje moderne për mbetjet, janë kthyer në shembuj të shpërdorimit dhe keqmenaxhimit.

 

Tre impiantet në Elbasan, Fier dhe Tiranë kanë marrë mbi 155 milionë euro nga buxheti i shtetit, por asnjëri nuk funksionon.

 

Në Elbasan, inceneratori i përfunduar në vitin 2017 ndodhet nën sekuestro dhe në shumicën e rasteve jashtë pune. Në Fier, objekti nuk ka përfunduar ende megjithëse pagesat janë kryer. Ndërsa në Tiranë, kontrata 430 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, vijon të jetë simbol i një projekti të dështuar.

 

Nga incenerimi te rikthimi i landfillit

 

Pas viteve të heshtjes dhe pastrimit të përgjegjësive, qeveria ka prezantuar një strategji të re për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në këtë dokument, termi “incenerator” shmanget krejtësisht, duke i dhënë përparësi ndarjes në burim dhe trajtimit përmes groposjes dhe riciklimit.
Qeveria propozon ngritjen e një Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, që do të marrë në dorëzim të gjithë procesin, duke e larguar nga bashkitë. Ky ndryshim sjell pyetje të reja mbi kostot që do të transferohen te qytetarët dhe bizneset, si dhe mbi koncentrimin e kompetencave në nivel qendror.

 

Alarm nga partnerët ndërkombëtarë

 

Ambasadat e Zvicrës dhe Suedisë kanë paralajmëruar për rrezikun e centralizimit të skajshëm të reformës. Sipas tyre, “vetëqeverisja vendore është themel i demokracisë, dhe çdo reformë duhet të zhvillohet përmes dialogut të hapur e transparent”.

 

Ndërkohë, projektligji i ri miratuar në Kuvend parashikon që parimi “ndotësi paguan” të zbatohet rreptësisht, duke rritur kostot për kompanitë dhe komunitetet që gjenerojnë mbetje.

 

Fatura që rikthehet tek qytetarët

 

Sipas Ministrisë së Mjedisit, objektivi për riciklimin sipas direktivave të BE-së duhet arritur deri në vitin 2035. Por rruga drejt këtij qëllimi do të kushtojë shtrenjtë: rreth 683 milionë euro investime të reja, ndërsa kostoja e trajtimit të mbetjeve pritet të dyfishohet në 170 euro për ton.
Në fakt, kjo do të thotë se qytetarët do të paguajnë dy herë – një herë për inceneratorët që nuk funksionuan, dhe tani sërish për të ndërtuar një sistem të ri.

 

Nga premtimet te realiteti

 

Kryeministri Edi Rama pranoi se menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga kapitujt më sfidues në procesin e integrimit europian, por fajësoi bashkitë dhe qytetarët për mungesën e ndërgjegjësimit.
Megjithatë, përgjegjësia politike dhe institucionale për projektet e dështuara mbetet në nivel qendror – aty ku u morën vendimet, u firmosën kontratat dhe u derdhën paratë publike.

 

Strategjia e re dhe investimet nga e para do të sjellin kosto të reja buxhetore dhe qytetarët do të duhet të paguajnë dhe njëherë për gabimet dhe korrupsionin që shkaktuan inceneratorët. Kjo ishte dhe arsyeja se përse ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve kaloi në heshtje duke anuluar diskutimet në parlament.

 

Pas më shumë se 10 vitesh, Shqipëria është sërish në pikën e nisjes: pa inceneratorë funksionalë, me landfille që po mbyten, dhe me një sistem që kërkon edhe më shumë para nga taksapaguesit.
Një histori e shtrenjtë që nisi me premtimin për të pastruar vendin — dhe që përfundoi duke ndotur më shumë financat publike.