Foto ilustruese
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar në kuadër të ligjit për Paketën e Maleve, zonat prioritare për zhvillimin e ekonomisë malore në disa bashki të vendit. Konkretisht, janë miratuar hartat në bashkitë Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan.
Një javë më parë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryebashkiakët e vendit lidhur me Paketën e Maleve. Gjatë takimit, Rama kritikoi disa prej kryebashkiakëve, të clilët nuk kishin dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave hartën me zonat e përzgjedhura si prioritare për zhvillim, në bashkitë përkatëse. Për këtë, kreu i qeverisë vendosi si afatën datën 31 tetor të këtij viti, për dërgimin e hartave me zonat përkatëse që të mundësohet nisja e projekteve.
Rama urdhëroi për secilën bashki ngritjen e një task-force që të nxisin njerëzit të investojnë në Paketën e Maleve.
“Duhet të krijoni një Task Forcë në çdo bashki, që të nxisin njerëzit të investojnë në Paketën e Maleve. 500 të parët që do të marrin kontratën, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë tatim. Nëse kanë shprehur interes, duhet r’i rrini pronto, të ndihmoni ata që duan të investojnë që të jenë tek 500 të parët”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës ky projekt synon të lehtësojë investimet në zonat rurale dhe malore, duke përmirësuar aksesin në dokumentacion dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këto zona./ZËRI
