Koreja e Veriut ka kryer me sukses një provë rakete lundrimi, thanë mediat shtetërore të saj, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump vizitoi Korenë e Jugut për bisedime tregtare.
Pheniani lëshoi raketa deti-sipërfaqe, të cilat fluturuan për dy orë dhe goditën objektiva në ujërat e saj perëndimore të martën, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA) të kontrolluar nga shteti të vendit.
Pak Jong-chon, nënkryetari i Komisionit Qendror Ushtarak të Koresë së Veriut, e përshkroi atë si një sukses të rëndësishëm në misionin e saj për të “forcuar pa pushim qëndrimin luftarak bërthamor”.
Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë se Seuli dhe Uashingtoni po e analizonin incidentin, duke përsëritur se ishin të aftë për një “përgjigje mbizotëruese” nëse provokoheshin nga Koreja e Veriut.
Testi i fundit i armëve ndodhi ndërsa Trump u nis nga Japonia për në Korenë e Jugut, ku më pas zhvilloi bisedime me homologun e tij të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, të mërkurën.
Duke folur në Air Force One ndërsa fluturonte për në Korenë e Jugut, presidenti amerikan duket se minimizoi rëndësinë e provës së fundit të raketave të Phenianit.
«Ai ka lëshuar raketa për dekada të tëra, apo jo?» tha Trump.
Gjatë udhëtimit të tij të parë në Azi, që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka treguar gatishmërinë e tij për t’u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un.
“Do të doja shumë të takohesha me të nëse ai dëshiron të takohet”, tha ai të hënën.
Duke folur nga qyteti i Gyeongju-së në Korenë e Jugut të mërkurën, Trump sugjeroi që ai dhe Kim, të cilët u takuan tre herë gjatë mandatit të tij të mëparshëm presidencial, “të shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin”.
«Ne vërtet nuk ishim në gjendje të përcaktonim kohën», tha ai për dështimin e tyre për t’u takuar këtë javë.
Koreja e Veriut nuk ka komentuar publikisht mbi dëshirën e Trump për një takim. Megjithatë, Kim tha muajin e kaluar se vendi i tij nuk do të rinisë bisedimet me SHBA-në nëse Uashingtoni nuk heq dorë nga kërkesa e tij për denuklearizimin e Koresë së Veriut.
Nën udhëheqjen e Kim, Koreja e Veriut është afruar më ngushtë me Rusinë, duke i dërguar Moskës mijëra trupa për të ndihmuar në luftën e saj të përgjithshme kundër Ukrainës./ Euronews.
