Briseida Çakërri-bruna mersini
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dhënë mandatin Briseida Çakërri, e cila do të jetë përfaqësuesja më e re e Partisë Socialiste në Kuvend për qarkun e Vlorës. Çakërri zëvendëson Bruna Mersinin, e cila ka dhënë dorëheqjen për t’u bërë pjesë e garës për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
KQZ konfirmoi në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë se, Çakërri mori mandatin e deputetes si pasuesja në listën e kandidatëve të 11 majit, me më shumë vota. Ajo pritet të bëjë betimin në seancën e ardhshme plenare, duke nisur kështu mandatin e saj katërvjeçar në Kuvend.
Dorëheqja e Mersinit u njoftua zyrtarisht nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, në seancën e fundit parlamentare. “Deputetja Brunilda Mersini heq dorë nga mandati si deputete. Është njoftuar KQZ për vakancën,” deklaroi Peleshi.
Bruna Mersini do të garojë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit në Vlorë, ndërsa përballë do të ketë Dijonis Sotën, si kandidat i pavrur, por i mbështetur edhe nga opozita.
Më 9 nëntor do të zhvillohet zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit. Qytetarët e Vlors, Beratit, Tepelenës, Matit dhe Cërrikut do t’i drejtohen qendrave të votimit për të kryetarët e rinj të bashkive. Bashkia Tiranë, edhe pse aktualisht pa kryetar, nuk do të shkojë në zgjedhjet e 9 nëntorit, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj pas ankimimi të kryebashkiakut Erion Veliaj për shkarkimin me vendim të qeverisë. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor./ZËRI
