Virologu i OBSH-së paralajmëron : Virusi i gripit të shpendëve ka ‘gjithçka që duhet për të shkaktuar një pandemi’

Një numër gjithnjë e më i madh fermash në Gjermani po preken nga gripi i shpendëve (H5N1), ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e një pandemie të mundshme.
Sipas Institutit Friedrich Loeffler (FLI), që nga fillimi i shtatorit janë regjistruar 31 shpërthime në blegtori dhe 131 raste tek shpendët e egër. Vetëm në javët e fundit, mbi 500 mijë pula, rosa, pata dhe gjela deti janë asgjësuar për të frenuar përhapjen e virusit.

FLI raportoi se përhapja këtë vjeshtë është jashtëzakonisht e hershme dhe e shpejtë, duke shënuar një valë të fortë në Gjermaninë Lindore dhe Saksoninë e Poshtme. Instituti e ka kategorizuar rrezikun si “të lartë”, duke paralajmëruar për përhapje të mëtejshme për shkak të migrimit sezonal të shpendëve.

“Ka gjithçka që duhet për të shkaktuar një pandemi”

Virologu i njohur Klaus Stöhr, ish-drejtues i programit të gripit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deklaroi për agjencinë dpa se virusi H5N1 “në parim ka gjithçka që i duhet për të shkaktuar një pandemi”.
Megjithatë, ai theksoi se rreziku aktual për njerëzit mbetet shumë i ulët. “Kushdo që has kafshë të ngordhura nuk duhet t’i prekë ato, të mbajë distancë dhe të njoftojë menjëherë autoritetet veterinare”, shtoi Stöhr.

Kërcënim për industrinë e vezëve dhe mishit të shpendëve

Sipas Shoqatës Qendrore të Industrisë Gjermane të Shpendëve (ZDG), përhapja e virusit mund të shkaktojë vështirësi në furnizimin me vezë dhe mish shpendësh.
Presidenti i shoqatës, Hans-Peter Goldnick, i bëri thirrje autoriteteve federale dhe shtetërore të ndërhyjnë menjëherë:

“Jemi në një fazë të hershme, por të fortë të shpërthimit. Pritja nuk është një opsion.”

Masat parandaluese dhe vaksinimi

Ministria Federale e Bujqësisë po kërkon bashkëpunim të ngushtë midis niveleve të qeverisë dhe një rritje të tavanit të kompensimit për fermerët nga 50 në 110 euro për kafshë të asgjësuar.
Ndërkohë, Komiteti i Përhershëm për Vaksinimin (Stiko) rekomandon vaksinimin kundër gripit sezonal për personat që punojnë ose kanë kontakt të drejtpërdrejtë me shpendë, zogj të egër, derrat apo fokat, për të shmangur një infeksion të dyfishtë që mund të favorizojë shfaqjen e një varianti të ri të H5N1.

Sipas Shoqatës Federale të Farmacistëve Gjermanë, gjatë sezonit të vaksinimit 2024/2025 janë kryer 122,000 vaksinime kundër gripit dhe 80,000 kundër COVID-19, shifra rekord krahasuar me vitet e kaluara.

Paralajmërim për muajt në vijim

Ekspertët parashikojnë që kulmi i migrimit të shpendëve ende nuk ka arritur, duke shtuar gjasat për përhapje të mëtejshme të virusit.
FLI i bën apel fermave që të respektojnë me përpikëri rregullat e higjienës dhe mbrojtjes, ndërsa opinioni publik këshillohet të shmangë çdo kontakt me shpendë të sëmurë apo të ngordhur.