36 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë depozituar pranë Këshillit për Legjislacionin një kërkesë për shkarkimin e Niko Peleshit nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Në relacionin e dorëzuar më 19 shtator 2025, demokratët argumentojnë se Peleshi ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit” gjatë seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtator, duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke penguar debatin parlamentar.
Në dokumentin zyrtar të depozituar në Kuvend, nënshkruar nga 36 deputetë të opozitës, thuhet se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim me nenin 75 të Kushtetutës dhe nenin 114 të Rregullores së Kuvendit, duke mos respektuar procedurat ligjore gjatë thirrjes dhe zhvillimit të seancave parlamentare.
Pas kërkesës, Shërbimi Juridik i Kuvendit vlerësoi se ajo plotësonte të gjitha kriteret formale, dhe se, sipas parimit të rotacionit shumicë–pakicë, Këshilli për Legjislacionin do të drejtohej nga deputetja demokrate Aulona Bylykbashi.
Me urdhër të vetë Peleshit, mbledhja e parë e Këshillit u thirr më 6 tetor, ku nisi shqyrtimi i kërkesës për shkarkim.
Në mbledhjet e zhvilluara më 6, 14 dhe 28 tetor, relatorët Ivi Kaso (PD) dhe Damian Gjiknuri (PS) paraqitën raportet përkatëse. Ndërsa Kaso kërkoi nisjen e procedurës së shkarkimit, duke e konsideruar kërkesën të bazuar në shkelje substanciale, Gjiknuri e kundërshtoi këtë pretendim. Për shkak të ndarjes së barabartë mes shumicës dhe pakicës, në seancë plenare do të paraqiten dy raporte të ndara.
Akti i parë: Seanca e 16 shtatorit
Sipas relacionit të PD-së, seanca e 16 shtatorit u thirr në kundërshtim me afatet kushtetuese dhe rregullore, pasi u njoftua më pak se 24 orë më parë. Opozita pretendon se Peleshi ka lejuar shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit pa respektuar afatin minimal njëjavor nga depozitimi i kërkesës, siç përcaktohet nga neni 83 i Kushtetutës. Gjithashtu, demokratët e akuzojnë për mohimin e të drejtës së diskutimit të deputetëve, duke shkelur nenin 75 të Kushtetutës dhe nenin 117 të Rregullores.
Akti i dytë: Seanca e 18 shtatorit
Në seancën e 18 shtatorit, ku u prezantua programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave, PD akuzon Peleshin për “cenim të rëndë të rendit kushtetues parlamentar”. Sipas relacionit, gjatë seancës Kryeministri Edi Rama ndërpreu fjalën për t’ia kaluar “një ministre virtuale”, gjë që opozita e cilëson si “akt karagjoz” dhe fyes për institucionin e Kuvendit. Demokratët theksojnë se kërkesat e tyre për fjalën në procedurë u mohuan në mënyrë të njëanshme, duke u hequr të drejtën për debat mbi programin e qeverisë, në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenin 110 të Rregullores.
Në përmbyllje të relacionit, Partia Demokratike deklaron se veprimet e Kryetarit të Kuvendit kanë minuar parimet e ndarjes së pushteteve dhe kanë transformuar institucionin më të lartë të përfaqësimit në “instrument të mazhorancës qeverisëse”. Kërkesa e PD-së pritet të shqyrtohet në seancë plenare, ku do të paraqiten dy raportet e Këshillit për Legjislacionin – një pro dhe një kundër shkarkimit të Niko Peleshit.
