Emri/ Snajper dhe municion luftarak, zbulohet baza e armëve në Tiranë, një i arrestuar

Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”.
Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.
Sekuestrohen 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihet në pranga Eugert Sino, 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”. Në kuadër të këtij operacioni:-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.
Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;-6 armë zjarri automatike;-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);-1 silenciator;-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;-pjesë të ndryshme armësh zjarri;-15 000 fishekë;-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);-pajisje për bllokimin e valëve;-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Top Channel