Hetimet vazhdojnë në Mulhouse të Francës pas vdekjes së kamarieres së një lokali, e cila u godit disa herë me thikë të shtunën. Prokuroria njofton se një person, me shtetësi shqiptare, është ende në kërkim aktiv. Viktima la pas dy fëmijë
Nga Patrick Genthon, FRANCE BLEU
Hetimet vazhdojnë në Mulhouse (Haut-Rhin) pas vdekjes së kamarieres së një kafeneje, e cila u godit disa herë me thikë të shtunën.
Prokuroria sqaron se ish-partneri i saj, një person me shtetësi shqiptare, është ende në kërkim aktiv. Viktima është një grua 33-vjeçare, e lindur në Gjeorgji dhe banuese në Mulhouse.
Sipas elementeve të reja të hetimit, viktima ka jetuar për tre vjet me të dyshuarin, me të cilin sapo ishte ndarë.
Prokuroria e Mulhouse-it sqaron në komunikatë se viktima nuk kishte depozituar asnjë kallëzim apo ankesë paraprake.
Komunikata gjithashtu tregon se individi në kërkim aktiv është me shtetësi shqiptare dhe po kryhet një analizë e videove të sigurisë.
Autopsia e trupit të viktimës do të kryhet të mërkurën, më 29 tetor në mëngjes, në institutin mjeko-ligjor të Strasburgut. Është hapur një hetim për vrasje.
