autori i vrasjes pas arrestimit
DURRËS- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja brenda familjes që ndodhi mesditën e djeshme në Shkallnur të Durrësit, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli goditi me thikë në zemër babain e tij, Pjetër Kodheli. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e tyre, ndërsa pas vrasjes i riu u larguar drejt një lokali që ishte në pronësi të motrës së tij, ku dhe më pas u arrestua nga policia.
Sipas burime nga grupi hetimor, familjarët kanë dëshmuar se 25 vjeçari kishte shkuar në spital dy vite më parë për t’u vizituar, pasi kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor. Mjekja i kishte rekomanduar që të bënte një vizitë me mjekë psikiatër për të parë gjendjen e tij mendore, por një gjë e tillë është refuzuar nga babai i të riut, dje viktimë e krimit në familje.
Gjatë dëshmisë së tij përpara grupit hetimor 25-vjeçari ka deklaruar:
“Ishim duke ngrenë buke dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja buke i qetë. Po nuk e mbaj mend pse ndodhi por kemi patur grindje te vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia para 6 muajsh.
Kam jetuar në France jam me pasaportë franceze. Atje kam ndenjur rreth 6 vjet dhe më pas kam shkuar në Greqi ku kam punuar 6 muaj. Nga Greqia kam ardhur në shtëpi dhe isha i papunë. Kemi patur debate me babanë. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi mora thikën e qëllova”.
I riu ndodhet tashmë në ambientet e paraburgimit dhe pritet që t’i nënshtrohet një ekspertize mjekoligjore.
Të afërmit e viktimës, deklaruan dje se i riu nuk kishte qenë mirë kohët e fundit, pas humbjes së nënës.
“Ishte familje e qetë. Janë nga Mirdita me origjinë. Ka 6 fëmijë. Ai ka qenë jashtë shtetit, tani ka ardhur. I ka vdekur edhe nëna. Djali është beqar”, tha i afërmi i viktimës. /ZËRI
