Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda që tronditën vendin këtë të martë, duke e cilësuar ditën si një “të martë të zezë për Shqipërinë”.Në një deklaratë për mediat, selia blu shprehet se vala e krimeve dhe dhunës që përfshiu disa qytete të vendit tregon, sipas saj, humbjen e plotë të kontrollit nga qeveria dhe gjendjen e pasigurisë ku jetojnë qytetarët.
“Tri vrasje me thikë, në Durrës, Tiranë dhe Berat, dhe një i plagosur me tritol në Shkodër, flasin për gjendjen e terrorit ku është zhytur vendi dhe humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me Diellën dhe ‘Kryeministrin diell’,” – thuhet në reagimin e PD-së.
Opozita dënoi me forcë aktet e dhunës, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke kërkuar që drejtësia të veprojë me paanshmëri e profesionalizëm për të shmangur çdo formë vetëgjyqësie.
PD akuzon Policinë e Shtetit për rolin pasiv ndaj kriminalitetit në vend, duke e cilësuar “Polici të narkoshtetit”, që sipas saj “ka humbur ndjeshmërinë ndaj qytetarëve dhe rendit publik”.
“Dhuna nuk është zgjidhja, por as një qeveri dhe polici që nuk ka prioritet jetën dhe sigurinë e shqiptarëve. Në shtetin e Ramaduros ka vetëm terror, frikë dhe vrasje,” – përfundon deklarata e PD-së.
Kjo deklaratë vjen në një ditë me ngjarje të rënda në disa qytete të vendit, ku tre persona humbën jetën në episode të ndara dhune dhe një tjetër u plagos rëndë nga shpërthimi i një tritoli në Shkodër.
E martë e zezë për Shqipërinë – PD: Në shtetin e “Ramaduros” ka vetëm terror, frikë dhe vrasje
