Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas një serie ngjarjesh të rënda që tronditën Shqipërinë gjatë ditës së sotme, duke theksuar se ato tregojnë qartë krizën e thellë të sigurisë publike në vend.
Gjekmarkaj përmend humbjen e jetës së një kamarieri të ri në Vlorë pas përplasjes me një automjet që ecte me shpejtësi, vrasjen e një kuzhinieri nga një picieri në Tiranë, një konflikt familjar fatal në Durrës, vdekjen e një turisti të huaj në Berat nga qiraxhiu i kuajve, si dhe një punonjës shteti në Shkodër që u plagos nga tritoli.
Sipas deputetit demokrat, këto pesë ngjarje tragjike brenda një dite nuk janë rastësi, por pasojë direkte e mungesës së shtetit, kontrollit dhe zbatimit të ligjit. “Kur drejtësia hesht, kur policia shndërrohet në aparat propagande, kur jeta e qytetarit humbet çdo vlerë, atëherë shteti ka dështuar në misionin e tij themelor,” tha Gjekmarkaj.
Ai theksoi se siguria publike nuk është luks, por një detyrim kushtetues dhe i bëri thirrje qeverisë të ndalë propagandën dhe të përballet me realitetin. “Shqipëria nuk mund të prezantohet si një nga vendet më të sigurta në Europë ndërkohë që qytetarët e saj vriten në rrugë, në punë e në shtëpi,” përfundoi deputeti i PD-së.
Pesë viktima në 24 orë, Gjekmarkaj: Qeveria mbyll sytë përballë kaosit
