11 vite nga ndarja nga jeta e Doriana Hakës, Prokuroria e Apelit shpall pretencën për mjekët

dorina-albin hoxha

TIRANË- Prokuroria e Apelit ka shpallur pretencën për mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar lidhur me rastin e vdekjes së Doriana Hakës bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit Alban Hoxha. Ata akuzohen për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e Doriana Hakës, ngjarje e ndodhur në vitin 2014, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Për mjekun gjinekolog, Petrit Rexhepin, prokuroria kërkon 9 muaj burgim, por për shkak të moshës mbi 70 vjec u kërkua pezullimi i ekzekutimit të vendimit dhe vënia në shërbim prove për një periudhë prej 18 muajsh. Por gjatë kësaj periudhe, ai duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë asnjë vepër penale. Ndërkohë, 1 vit burg është kërkuar për reanimatoren Elona Burba, si dhe pezullim licence për 5 vite. 
Seanca e radhës pritet të mbahet më 10 nëntor, ku mjekët do të paraqesin argumentet e tyre të mbrojtjes.
Për rreth 11 vite, prindërit e Doriana Hakës do të mësojnë edhe verdiktin e drejtësisë. Familja Haka nisi një përballje ligjore me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni” që në vitin 2014 pasi humbën të bijën. Ata akuzojnë mjekët si përgjegjës për humbjen e jetës së Dorianës.