Tronditet Shqipëria, 3 të vr*rë për motive banale dhe një shpërthim tritoli në pak orë

Katër ngjarje të rënda kanë ndodhur në pak orë, ku kemi 3 të vrarë në qytete të ndryshe të vendit dhe një shpërthim tritoli. Lajmi i parë u dha nga Shkodra, aty ku në orët e para të mesditës iu vu tritol 38-vjeçari Enea Busukja, i cili sapo ndezi makinën, mjeti shpërtheu. Si pasojë ai mbeti i plagosur.
Vrasja e parë u raportua në Durrës. 25-vjeçari Marjan Kodheli vrau me thikë babanë e tij, Pjetër Kodheli. Ngjarja ndodhi në banesën e tyre që ndodhet në fshatin Shkallnur të Durrësit. 70 vjeçari ndërroi jetë teksa po transportohej për në spital. Djali pas krimit ka arritur të largohet ndërsa policia po punon për kapjen e tij. Policia ka rrethuar zonën ndërsa nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas burimeve, djali ka shfaqur edhe më parë sjellje agresive.

Për këtë krim kanë folur edhe fqinjët, të cilët kanë thënë se autori prej pak kohësh ishte kthyer në Shqipëri. Ata janë shprehur se familja ka qenë e qetë. Sipas dëshmive të banorëve, viktima jetonte me një grua tjetër në shtëpi. ”Djali ka qenë jashtë. Ne s’kemi qenë në shtëpi. Këta janë nga Mirdita. Ka 6 fëmijë. Ai ka qenë jashtë shtetit, e ëma i kishte vdekur pasi i ra një tjegull në kokë. Po kanë qenë familje e mirë. Po janë jashtë shtetit të gjithë”, tha ai.

Kurse në Tiranë një konflikt mes picierit Filip Shehu, 41 vjeç dhe kuzhinierit Indrit Ismaillari, 34 vjeç çoi në vdekjen e këtij të fundit për shkak plagëve të marra nga goditjet me thikë. Ngjarja tronditëse ndodhi në zonën e Komunës së Parisit. Autori i vrasjes është arrestuar nga blutë, ndërsa thuhet se mes tij dhe viktimës ka patur konflikte prej kohësh. Pas krimit, Filip Shehu ka pretenduar se Indrit Ismaillari e bullizonte.

Një konflikt mes dy personave në Berat, ka degraduar në përdorimin e thikave duke shënuar kështu dhe një viktimë. Të përfshirët në sherr janë 63-vjeçari Kristo Mema, i cili ka goditur me thikë 42-vjeçarin Keli Hoxha pas një konflikti për motive të dobëta. Viktima Keli Hoxha ishte vizitor, i cili kishte shkuar në qytetin e Beratit për të vizituar kalanë. Debati ka nisur për një kalë, me të cilin autori shëtiste turistët nëpër kala.