Detaje nga krimi në Durrës, 25-vjeçari e goditi me dru në kokë babain, më pas me thikën e bukës në zemër

momenti i arrestimit

DURRËS- Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Durrësit mesditën e kësaj të marte, ku 25-vjeçari, Marjan Kodheli, ka vrarë me thikë babanë e tij, Pjetër Kodheli. Burime bëjnë me dije se i riu fillimisht e ka goditur të atin në kokë me një dru dhe më pas ka marrë thikën e bukës, me të cilën e ka qëlluar në zemër. Pas dy orësh ndjekje nga policia, 25-vjeçari (dyshohet me probleme të shëndetit mendor), u kap dhe u vu në pranga. Gjatë kontrollit, policia i gjeti dhe sekuestroi 25-vjeçarit, me cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë).

Njoftimi: 
Vrau me mjet prerës (thikë) babanë e tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas dy orësh ndjekjeje nga Policia, u kap dhe u vu në pranga 25-vjeçari.
Në vijim të informacionit të dhënë mbi vrasjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit P. K., informojmë se, si rezultat i kontrollit intensiv, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës mundësuan lokalizimin në lagjen nr. 13 dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit M. K., 25 vjeç (dyshohet me probleme të shëndetit mendor), djalit të shtetasit P. K..
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan 25-vjeçarit, me cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.