Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e kësaj të marte, 28 tetor në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku një person humbi jetën pas sherrit që degradoi me përdorimin e thikës.
Sipas burimeve, viktima është Indrit Ismaillari, rreth 41 vjeç, i cili punonte si kuzhinier në lokalin “City Lounge” në zonën e Komunës së Parisit.
Ai është goditur me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu, 34 vjeç, i cili ushtronte detyrën e picierit në të njëjtin biznes.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy punonjësve. Sipas burimeve, autori i dyshuar është shprehur se është ndier i bullizuar dhe i fyer vazhdimisht nga viktima.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të kolegëve dhe dërgimit të të plagosurit në spital, Indrit Ismaillari, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkohë, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, Filip Shehu, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave materiale.
