SPAK godet korrupsionin në drejtësi, 6 të pandehur për ndikim të paligjshëm

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 6 persona, të akuzuar si pjesë e një grupi që merrnin ryshfet në këmbim të premtimeve se mund të ushtronin ndikim ndaj funksionarëve të drejtësisë për ndryshimin e masave të sigurisë.
Në njoftimin zyrtar, SPAK bën me dije se kërkesa për gjykim është dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për procedimin penal nr. 177/1 të vitit 2025, në ngarkim të personave:
Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi.
“Të pandehurit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, kryer në bashkëpunim,” thuhet në njoftim, ndërsa për të pandehurin Erjon Dani është ngritur edhe akuza e “Shpërdorimit të detyrës.”
Sipas SPAK, gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të ndara, ku “kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurie personale dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.”
Nga hetimet ka rezultuar se Erjon Dani, në atë kohë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, “ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.”
SPAK sqaron se të pandehurit kanë bashkëpunuar përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të administruara nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare.